Ballina Autorë Opinione Iranianët nuk janë atë që thonë armiqtë e tyre!

Iranianët nuk janë atë që thonë armiqtë e tyre!

Kim Mehmeti

Sot, kur Irani është bërë lajmi i ditës, shumëkush këtë vend dhe këtë popull e vlerëson vetëm nëpërmjet çallmave të zeza të ajatollahëve dhe ushtarëve të Gardës Revolucionare.
Por jo, ky vend e ky popull nuk është atë që e thotë propagnada antilindore, por e kundërta: populli iranian sot është ndër më të arsimuarit në botë, në këtë shtet dhe te ky popull janë shtresuar vlerat pesëmijëvjeçare të gjithçkaje që nënkupton civilizimi pers.
Në këtë tokë perse kanë hyrë shumë pushtues e perandorë të lavdishëm, të cilët kanë rrënuar e djegur çdo gjë që u ka dalë përpara – siç kanë bërë për shembull, Aleksandri i Madh, Xhingis Khani… – por asnjëri nuk ka dalë nga ato hapësira si fitimtar i vërtetë.
Pra, shumë perandorë e kanë pushtuar këtë vend, por thuajse vetëm për ta kuptuar se është e turpshme t’i shlyesh gjurmët e një civilizimi me të cilin mburret e gjithë gjinia njerëzore; se nuk të vlen asgjë perandoria që përfaqëson pa atdheun e Zarathustrës, Khajamit, Rumit, Avicenës…
Dhe kështu, të gjithë perandorët që e pushtuan tokën perse mbetën pa perandoritë e tyre dhe u bënë persë, sepse nuk kishin çfarë t’i sillnin një populli që kishte frigorifer për të ngrirë ujin edhe atëherë kur nuk ekzistonte rryma elektrike, që i freskonte shtëpitë me “kondicionerë” natyralë edhe në kohën kur popujt që sot quhen të civilizuar nuk e dallonin dhomën e fjetjes nga stalla apo tualeti.
Po pra, sot, kur Irani është bërë pjesë e përditshme e lajmeve dhe e jetës sonë, gaboni nëse e vlerësoni vetëm përmes lejmeve ditore që i shpërndajnë mediat e ‘lira’ të botës së ‘civilizura’.
Andaj lexoni për të shkuarën e gjinisë njerëzore për të kuptuar se ai vend dhe ai popull kurrë nuk janë mposhtur, sepse kurrë nuk ua kanë pasur zili pushtuesve të pasur e të fortë; sepse, me të ardhur në këto hapësira dhe mes këtij populli, të gjithë pushtuesit kanë dashur të harrojnë se kush janë dhe ua kanë pasur zili persianëve.

Nga Kim Mehmeti

Exit mobile version