Ballina Kulturë Evenimente Shfaqet dokumentari “No Other Land” në Kino Armata

Shfaqet dokumentari “No Other Land” në Kino Armata

Më 26 janar (e hënë), duke filluar nga ora 19:00, në Kino Armata në Prishtinë, në bashkëpunim me DokuFest, do të shfaqet dokumentari “No Other Land”, një film që sjell në fokus jetën e komuniteteve palestineze nën peshën e okupimit izraelit në Masafer Yatta.

Dokumentari dëshmon përvojat e përditshme të palestinezëve përballë dhunës, shkatërrimit të pronave dhe dëbimit nga tokat e tyre, duke e bërë të dukshëm një realitet që shpesh mbetet jashtë vëmendjes ndërkombëtare.

Vitin e kaluar, “No Other Land” u shpërblye me Çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë, një vlerësim i dhënë mes shkëlqimit ceremonial, në një kohë kur bota vazhdonte të mbyllte sytë ndaj realitetit që filmi trajton.

Rreth pesë muaj pas këtij vlerësimi, Awdah Hathaleen, aktivist nga Masafer Yatta dhe bashkëpunëtor në realizimin e filmit, u vra nga një kolon izraelit në fshatin e tij Umm al-Khair, teksa po dokumentonte të njëjtën dhunë që shfaqet në film. Vrasja e tij u regjistrua nga kamera e vet, ashtu si shumë pamje të tjera të dhunës në Gazë dhe në mbarë Palestinën.

Në një moment historik të shënuar nga militarizimi në rritje, qëndresa palestineze kundër okupimit mbetet një busull morale dhe politike për të gjithë ata që refuzojnë rehatinë e ndërtuar mbi shtypjen, kudo që ajo ndodh.

🎟 Hyrja është falas.

Exit mobile version