Pakistani ka shprehur mbështetje të plotë për Iranin dhe ka bërë thirrje për “unitet mysliman kundër Izraelit” pas sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Ne qëndrojmë me Iranin dhe do ta mbështesim në çdo forum ndërkombëtar për të mbrojtur interesat e tij,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Pakistanit, Khawaja Asif, gjatë një fjalimi në Asamblenë Kombëtare.
“Izraeli ka sulmuar Iranin, Jemenin dhe Palestinën. Nëse shtetet myslimane nuk bashkohen tani, secili prej tyre do të përballet me të njëjtin fat,” shtoi ai.
Asif u bëri thirrje të gjitha shteteve myslimane të “shkëpusin menjëherë marrëdhëniet me Izraelin” dhe kërkoi që Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) të mblidhet urgjentisht për të hartuar një strategji të përbashkët.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, e cilësoi sulmin izraelit ndaj Iranit si “shkelje të hapur të sovranitetit iranian”.
Pakistani dhe Irani ndajnë një kufi prej 750 kilometrash në jugperëndim të Pakistanit dhe juglindje të Iranit. /mesazhi
