Ballina Lajmet Shkup, konferencë për menaxhimin e krizës së refugjatëve përgjatë “rrugës ballkanike”

Shkup, konferencë për menaxhimin e krizës së refugjatëve përgjatë “rrugës ballkanike”

Sot në Shkup ka filluar konferenca rajonale dyditore e mbështetur nga OSBE-ja me temë “forcimi i bashkëpunimit dhe qasjeve të përbashkëta në menaxhimin e trafikimit të njerëzve përgjatë ‘rrugës ballkanike’ të refugjatëve”, raporton Anadolu Agency.

Qëllimi i kësaj konference, e cila është e organizuar si një përcaktim i përbashkët i Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Komisionit Kombëtar për luftën kundër trafikimit me njerëz dhe me mbështetjen e Zyrës së Përfaqësuesit Special dhe Koordinatorit për Luftën kundër Trafikimit me Njerëz në OSBE, është për të inkurajuar dialogun më konstruktiv midis autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe misionit në terren të OSBE-së në rajon, që është orientuar drejt aktiviteteve që kanë të bëjnë me trafikimin me njerëz në shtetet, të cilat janë prekur nga kriza e refugjatëve.

Ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen, tha se trafikimi me njerëz është fenomen me dimensione përtej kufitare dhe se vetëm në këtë mënyrë mund ti qasemi. Ajo shtoi se, pikërisht kjo është arsyeja që në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga mbi 10 vende si dhe përfaqësues të organizatave të huaja civile.

“Pikërisht për këtë kemi mbledhur koordinatorët kombëtar nga rajoni dhe nga jashtë, për të gjetur mënyra të përbashkëta se si t’i ndihmojmë viktimat, si ti mbrojmë, si ti identifikojmë, por edhe se si ti kapim autorët”, është shprehur ajo.

Ambasadorja Madina Jarbusinova, dhe koordinatore e OSBE-së për luftën kundër trafikimit me njerëz në deklaratën e saj ka thënë se numri i refugjatëve është i madh, ndërsa nga ana tjetër numri i kriminelëve të kapur për trafikimin me njerëz është shumë i vogël dhe për këtë arsye, sipas saj, duhet angazhim i përbashkët për tu ballafaquar me këtë fenomen.

Jarbusinova më tej tha se, në periudhën e fundit ka vizituar shumë pika të nxehta të refugjatëve, siç janë kampet e refugjatëve në Itali, kufiri në Gaziantep midis Turqisë dhe Sirisë dhe Bullgari. Gjithashtu shtoi se ka në plan të vizitojë edhe ishullin grek Lesbos. Sipas saj konferenca të tilla, si dhe puna në terren do të kontribuojë në zgjidhjen e këtij problemi, por si moment të rëndësishëm në këtë proces, theksoi identifikimin e viktimave dhe trafikantëve me njerëz.

Margareta Cederfelt, anëtare e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Suedia dhe anëtare e Komitetit Ad Hoc për Migracionin, konsideron se: “Ne si anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duhet të përpiqemi ti gjejmë arsyet reale, por edhe praktikat më të mira, sepse tashmë në vende të ndryshme ekzistojnë praktika të mirë për menaxhim me këtë problem. Ne duhet të gjejmë më të mirat dhe ti ndihmojmë viktimat, sepse këtu bëhet fjalë për njerëz”.

Koordinatorja kombëtare për luftën kundër trafikimit me njerëz dhe migrimit ilegal – Shkup, Sanja Dimitrievska, shkurtimisht iu drejtua mediave, ku shprehu mirënjohje për organizatorët dhe pjesëmarrësit. Gjithashtu ajo falënderoi koordinatorët kombëtarë, të cilat, siç tha, do të nënshkruajnë deklaratën, që ka një mesazh për viktimat se do të ndihmohen kudo që të takohen dhe se autorët do të dënohen rreptësisht.

Exit mobile version