Me një minutë heshtje në nderim të grave dhe vajzave të vrara, në Shkup u mbajt protestë kundër dhunës ndaj grave, e organizuar nga Lëvizja për Liri dhe Drejtësi të Grave “Asnjë më shumë”, raporton Anadolu.
Protesta nisi para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, vazhdoi nëpër qendrën e qytetit dhe përfundoi para Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Protestuesit kërkuan nga institucionet që deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Përfaqësuesit e lëvizjes kërkuan miratimin e ndryshimeve ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, si dhe të tetë ligjeve të tjera për të cilat është formuar një grup pune.
Ata kërkuan gjithashtu ndarjen e së paku 200 milionë denarëve për shërbime të specializuara për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës, si dhe përgjegjësi institucionale për rastet e femicidit.
“Jo më justifikime, nuk do t’ju lejojmë të varrosni edhe një grua tjetër. Lufta e grave sot është luftë për jetë”, u theksua gjatë protestës.
Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues politikë dhe figura të jetës publike në vend.