Ballina Lajmet Shoqata dhe aktivistë të shumtë me protestë mbështesin “Logos A”

Shoqata dhe aktivistë të shumtë me protestë mbështesin “Logos A”

Me një libër në dorë të botuar nga Shtëpia Botuese “Logos-A”, qytetarë të shumtë në Çarshi të Shkupit dolën sot për t’i dhënë përkrahje Shtëpisë Botuese “Logos-A”, pas presioneve të shumta që po i bën pushteti kohëve të fundit. Amar Rexhepi nga Lidhja e Nxënësve Shqiptarë, njëherit edhe organizatorë të kësaj proteste tha se është jo njerëzore dhe jodemokratike që institucionet shtetërore nëpërmjet mekanizmave të tyre të sulmojnë këtë djep të librit, të atakojnë mikun e diturisë dhe humanizmit, të pengojnë ngritjen dhe zhvillimin e arsimit dhe librit.

“Goditjet ndaj Logos-A, janë goditje edhe ndaj arsimit, librit dhe ndaj njerëzisë. Goditjen ndaj Logos-A janë edhe ndaj të ardhmes tonë, ndaj pasardhësve tanë dhe vlerave demokratike. Logos-A jemi të gjithë ne, janë të gjithë qytetarët e vendit, të gjithë dashamirët e librit dhe demokracisë”, tha Amar Rexhepi nga Lidhja e Nxënësve Shqiptarë.

Ndërkaq Erduan Dauti nga Shoqata Kulturore “Vizioni M”, tha se ata dënojnë ashpër të gjitha sulmet e cilësdo strukture që po tenton ta shuajë këtë qiri ndriçues, pra SH.B “Logos-A”

“Përgjatë gjithë historisë nuk na kanë habitur sulmet e qarqeve antishqiptare sllave, ndaj vlerave të mirëfillta kombëtare dhe fetare, e ndaj personaliteteve që tentonin dhe tentojnë t’i mbajnë të gjalla këto vlera. Por është për tu habitur që edhe në kohën tonë kemi persona që me emra ngjasojnë me ne por mendojnë dhe veprojnë edhe më keq se antishqiptarët e dëshmuar. Mbase ka ardhur koha këtyre personave dhe struktura t’u bien maskat”, tha përfaqësuesi i shoqatës kulturore “Vizioni M”, Erduan Dauti.

Sipas Arben Hajrullahut nga Unioni Studentor Shqiptarë, pengesat dhe sulmet e vazhdueshme të këtij pushteti aktual ndaj subjekteve që kultivojnë, çdo ditë e më shumë po mbysin ardhmërinë e qytetarëve, e posaçërisht gjeneratave të reja.

“Këtij pushteti i është humbur vullneti për ardhmëri dhe ka pësuar një dështim total duke sulmuar ata më të sinqertit. Duke parë se punën e tyre në fakt po e kryejnë subjektet civile, në këtë rast SH.B ‘Logos-A’, ata fillojnë me aksione duke penguar dhe duke shtuar veprimtarinë e tyre në këtë mënyrë. Si çdoherë siç e ka dëshmuar historia, pushtetet injorante dhe shtypëse ndaj popullit të saj, do të gjykohen dhe nënçmohen nga çdo gjeneratë e re”, tha kryetari i Unionit Studentor Shqiptar, Arben Hajrullahu.

Përpos këtyre shoqatave, protesta u përkrah edhe nga organizata joqeveritare “Parimi”, “Elita” dhe nga shoqata “Nun”. Protestuesit dënuan ashpër sulmet që po i bëhen Logos-A-së, duke i quajtur këto sulme të padrejta, ndërsa i dhanë mbështetje të parezervë kësaj shtëpie botuese

Edhe aktivistë dhe qytetarë që ishin të pranishëm në protestën thanë se janë aty për t’i dhënë mbështetje të parezervë punës dhe veprimtarisë se Shtëpisë Botuese Logos-A.

“Ne si aktivistë shprehim keqardhje për presionin që po i bëhet Shtëpisë Botuese Logos-A, e cila me 25 vite të plota bota, dy dekada të plota me botime shkencore, si kombëtare ashtu edhe fetare. Shpresojmë që sa më shpejtë të rregullohet kjo çështje, të rinjtë të vazhdojnë me qëllimet por edhe pasionet e veta”, tha njëri nga qytetarët.

“Këtu jam në përkrahje të Shtëpisë Botuese Logos-A ngase kjo shtëpi, botuese e cila çdoherë ka dhënë fryte të shumta për shqiptarët, sidomos me botimet e shumta të librave, gati 25 vite që është ky kandil ndriçues në Maqedoni për gjithë shqiptarët, dhe mendoj që duhet të vazhdoj dhe nuk duhet t’i bëjnë presion”, tha një qytetar tjetër.

Në fund të protestës u lexua edhe deklarata e përbashkët e shoqatave pjesëmarrëse në protestë ku u dënuan ashpër sulmet dhe aktet e institucioneve ndaj Shtëpisë Botuese “Logos-A”, duke shprehur përkrahje të plotë për këtë shtëpi botuese.

Po ashtu pati edhe ekspozitë me fotografi me të arriturat e kësaj Shtëpie Botuese gjatë 25 viteve të kaluara.

Exit mobile version