Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shpërthen dhuna në Kataloni

Shpërthen dhuna në Kataloni

Protestues të shumtë në rajonin spanjoll të Katalonjës janë përplasur me policinë, pasi Gjykata Supreme përshkallëzoi veprimet ligjore kundër separatistëve.

Gjykata Supreme spanjolle vendosi se 25 udhëheqësit katalanas duhej të dilnin përpara gjyqit për rebelim, përvetësim apo mosbindje ndaj shtetit. Dënimi i tyre eventual do të thoshte se ata mund të kalojnë deri në 30 vite në burg.

Më shumë se 20 persona u plagosën teksa policia përdori shkopinjtë e gomës për t’i mbajtur protestuesit sa më larg ndërtesave shtetërore në Barcelonë, gjatë mesnatës së të premtes e së shtunës. Demonstratat, gjithsesi, u shtrinë edhe në pjesë të tjera të Katalonjës.

Në Madrid, një gjyqtar i Gjykatës Supreme urdhëroi prangosjen e 5 udhëheqësve të tjerë katalanas pa pasur mundësinë e lirimit me kusht, në pritje të gjykimit të tyre për përfshirjen në referendumin e jashtëligjshëm të muajit tetor mbi Pavarësinë e rajonit tejet të pasur verilindor.

Njëri prej atyre që u nxorrën para gjyqit ishte Jordi Turull, i cili pritej të ishte subjekt votimi në Parlamentin katalanas këtë të shtunë për presidentin rajonal. Disa figura të tjera të larta mes separatistëve dolën para gjyqit, ose kanë mundur të largohen nga vendi duke jetuar në ekzil.

Mitingjet e natës së të premtes u organizuan nga një grup separatist, përpara se të shpalleshin vendimet e gjykatës. Por, ishin pikërisht vendimet ato që ndezën edhe më tej protestuesit dhe turmat e irrituara që u përplasën më pas me policinë, me këtë të fundit që ishte dislokuar për mbrojtjen e ndërtesave qeveritare në Barcelonë.

Ata mbanin flamuj të Katalonjës dhe lëshonin thirrje e slogane pavarësie, ndërsa disa prej tyre dogjën madje edhe portretet e gjykatësve të Gjykatës Supreme, sikurse edhe të Mbretit Felipe të Spanjës. Tensionet degjeneruan në dhunë, kur disa prej protestuesve u përpoqën të thyenin kordonin policor.

Ndërkohë, paralelisht me protestën e dhunshme, një miting më i qetë ndodhi në sheshin kryesor qendror të Katalonjës. Një prej pjesëmarrëseve atje, Carme Sala tha se ishin mbi dy milionë njerëz që donin të shkëputeshin prej Spanjës, “ndaj ata s’mund të na fusin të gjithëve në burg”.

Televizionet katalanase shfaqën pamje nga mitingje të tjera në mbështetje të udhëheqësve të burgosur në qytete të ndryshme të rajonit, përfshi qytetet Vic dhe Tarragona.

Mes të dënuarve të së premtes ishin Jordi Turull, ish-zëdhënës i qeverisë katalanase dhe kandidati më i fundit për president rajonal; Josep Rull, ish-ministri katalanas i Zhvillimit; Carme Forcadell, ish-kreu i Parlamentit katalanas; Raul Romeva, ish-shefi i Politikës së Jashtme në Katalonjë; Dolors Bassa, ish-ministër i Punës në rajonin verilindor.

Exit mobile version