Ballina Lajmet Shqipëri, mbajtja e maskës e detyrueshme në ambiente të hapura

Shqipëri, mbajtja e maskës e detyrueshme në ambiente të hapura

Në Shqipëri ka hyrë në fuqi akti normativ i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë që përcakton se barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit në zbatim të aktit normativ që u miratua më 12 tetor dhe që nuk përcakton ndonjë afat, sot kanë filluar të përdorin maskën pothuajse në çdo ambient.

Sipas udhëzuesit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP) mbi “përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë”, një masë e tillë është vendosur me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas udhëzimit, maska duhet të mbahet nga çdo individ mbi moshën 11-vjeç gjatë gjithë veprimtarisë jashtë banesës.

Qytetarët duhet të mbajnë maskën gjatë ecjes në rrugë, gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si në park apo sheshe, në çdo dyqan apo aktivitet tregtar, në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.

Gjithashtu maska duhet të mbahet edhe në ambiente të tjera, si përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante, në të gjitha institucionet fetare dhe në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor, sipas protokolleve shëndetësore.

Vendosja e maskës nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë, prandaj janë përcaktuar disa raste kur do të lejohet të hiqet atë apo të modifikohet përdorimi i saj, si nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë dhe gjykatë dhe gjatë disa aktiviteteve të tjera.

Udhëzuesi i miratuar përcakton edhe rastet përjashtimore të përdorimit të maskës, konkretisht në të gjitha rastet kur përdorimi i saj dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes, nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës, nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë apo motoçikletë dhe në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.

Në lidhje me monitorimin dhe respektimin e masës në fjalë do të angazhohen edhe strukturat e policisë, të cilat fillimisht do të sensibilizojnë qytetarët për përdorimin e maskave, ndërsa do të zbatohen edhe gjoba në rast të moszbatimit.

Përveç përdorimit të maskës, vazhdon të mbetet në fuqi edhe masa për ndalimin e grumbullimeve masive, si në teatro, në aktivitetet kulturore dhe sportive dhe klubet e natës.

Zbatimi i masës së re vjen pas vazhdimit të rritjes së rasteve me COVID-19, ku sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 15.955 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 434 persona kanë ndërruar jetë dhe 9.762 janë shëruar.

Exit mobile version