Në Shqipëri është organizuar një protestë nga mësuesit me moton për “depolitizim të arsimit” dhe për kërkesa të tjera, raporton Anadolu.
Dhjetëra mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë protestuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pjesë ishin edhe deputetë të opozitës dhe aktivistë.
Protesta është thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, sipas tyre për të kërkuar “depolitizimin e arsimit”, shpërblimin e fundvitit dhe pagën e 13-të dhe për kërkesa të tjera.
Sipas organizatorëve, mësuesit kërkojnë edhe “rikthimin e legjitimitetit të diplomave”.
“Depolitizoni shkollat-Respektoni mësuesit”, “Mësuesi nuk është hije, është shtyllë”, “Ligji i arsimit të lartë duhet të shërbejë për drejtësi”, “Paga e 13-të jo dhuratë, por e drejtë”, “Stop diskriminimit të diplomave para sistemit të Bolonjës”, “Pa dinjitetin e mësuesit nuk ka dinjitet kombi”, ishin disa nga mbishkrimet e pankartave në protestë.
Mësuesit e sistemit parauniversitar kanë kërkuar nga autoritetet paga të barabarta, dhe shmangien e diferencimeve ndaj mësuesve për çështjen e pagave.
Ina Zhupa, deputete e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, tha në fjalën e saj në protestë se mësuesit kanë të drejtë të marrin pagën e 13-të.
Zhupa theksoi ndër të tjera se do të vazhdojë angazhimin e saj për të garantuar kushte më të mira pune për mësuesit.
Erisa Xhixho, deputete e partisë opozitare, Partisë së Lirisë, tha gjatë fjalës së saj në protestë se do të angazhohet që të ketë seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet në Kuvendin e Shqipërisë për çështjet që ngrihen nga mësuesit.
“Mësuesia sot është në një krizë të thellë. Studentët nuk shkojnë më për mësuesi”, u shpreh Xhixho.
Organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vijimin e protestave nga mësuesit.
