Në Shqipëri sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë, ndërkohë, në vend janë organizuar aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Rinisë e Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ka organizuar në Tiranë disa aktivitete me moton “Rruga e Rinisë 2030”.
Ndërkohë, të rinj nga disa qytete të vendit, pjesë e këshillave vendore rinore vizituan sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Të rinjtë u takuan me përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë dhe zyrtarë të tjerë, duke ndarë idetë e tyre për politikat ndaj të rinjve dhe për çështje të tjera.
– Mesazhe urimi nga zyrtarët e lartë
Me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, zyrtarë të lartë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale shkruan se “Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë evropiane”.
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa”, ka shkruar Begaj.
Një mesazh ka publikuar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se Dita Kombëtare e Rinisë simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, sipas saj, “si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale”.
“‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa'” ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë të të qenit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit evropian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie. Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribuues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë”, ka theksuar ajo.
Dita Kombëtare e Rinisë shënohet më 8 dhjetor si festë zyrtare. Ajo është caktuar në nderim të lëvizjes studentore të dhjetorit të vitit 1990 në Shqipëri që u bë iniciatore e rënies së komunizmit dhe lindjes së pluralizmit politik në vend.
