Ballina Lajmet Shqipëri, tensione në protestën për vdekjen e një të riu pas ndjekjes...

Shqipëri, tensione në protestën për vdekjen e një të riu pas ndjekjes nga policia

Në Shqipëri është protestuar përsëri për shkak të vdekjes së një të riu pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas ndërroi jetë në spital, protesta që janë shoqëruar edhe me akte dhune dhe dëme materiale, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestat vazhduan në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Korçë, Berat dhe Lezhë, ndërkohë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë dorëheqjen në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur i riu.

Dhjetëra qytetarë, përfshirë edhe aktivistë të shoqërisë civile, me sloganin “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, kanë nisur fillimisht protestën e tyre para selisë së Ministrisë së Brendshme në Tiranë, protestë e cila ka filluar me tensione, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera ndaj forcave të policisë.

Më pas protesta ka vazhduar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku polica ka përdorur edhe gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, pasi janë përplasur me forcat e policisë. Për shkak të përplasjeve dhe gazit lotsjellës janë lënduar disa policë dhe qytetarë, ndërkohë janë ndaluar nga policia edhe disa protestues.

Qytetarët kanë protestuar edhe para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe në disa zona të tjera në Tiranë, duke shkaktuar edhe dëme materiale në ndërtesat e institucioneve dhe objekte të tjera, duke dëmtuar edhe dekorin e vendosur për festat e fundvitit dhe djegur koshat e mbeturinave.

Protesta që u shoqëruan me tensione dhe përplasje, si dhe ku u plagosën policë dhe protestues u zhvilluan edhe dje në Tiranë, pavarësisht masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), ku ndalohen grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se në lidhje me protestën e djeshme janë arrestuar 3 persona, proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas të tjerë, të akuzuar për organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.

Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu   

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor në Tiranë që përkon edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërkohë që është arrestuar edhe një punonjës i policisë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë (SHÇBA), pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij. Theksohet se në ndjekje e sipër, punonjësit e policisë kanë konstatuar se i riu kishte me vete një send në dukje armë zjarri.

Sipas SHÇBA-së, një nga punonjësit e policisë pasi nuk ka arritur ta kapë dhe prangosë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij, ku për pasojë 25-vjeçari është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.

Gjithashtu thuhet se veprimet e punonjësit të policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit, ndërkohë është arrestuar edhe punonjësi i policisë në fjalë për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Exit mobile version