Ballina Lajmet Shqipëri, vatra zjarri në disa qarqe

Shqipëri, vatra zjarri në disa qarqe

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 26 vatra zjarri, sipas autoriteteve, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatrat e zjarrit janë neutralizuar të gjitha, “pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren”.

“Këto vatra zjarri janë evidentuar në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit e Beratit. Kryesisht zjarret kanë rënë në sipërfaqe me bimësi, ku si pajojë janë djegur rreth 56 hektarë sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte. Në dy raste zjarret janë evidentuar në një biznes dhe në një banesë, ku janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, në Bashkinë e Durrësit, një vatër zjarri e rënë në një treg industrial shkaktoi një dëm të konsiderueshëm në mallra dhe pajisje.

Më tej thuhet se në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 449 forca operacionale.

Gjithashtu, nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë u angazhuan disa automjete zjarrfikëse me 14 efektivë dhe 1 helikopter cougar.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarret në pyje, sot dhe nesër pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”.

Në ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga temperatura të larta, ku sipas Institutit të Gjeoshkencave temperaturat në orët në vazhdim pritet të arrijnë deri në 39 gradë celsius.

Exit mobile version