Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij nga Bosnjë e Hercegovina, Elmedin Konakoviq, transmeton Anadolu.
Siç ka njoftuar Hoxha nëpërmjet rrjetit social amerikan “X”, palët riafirmuan përkushtimin e përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dhe për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë.
“U dakorduam se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon duhet të mbizotërojnë dhe të mbeten prioritete kryesore, veçanërisht në dritën e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivës së ripërtërirë, të besueshme dhe konkrete të Bashkimit Evropian (BE) për rajonin”, shkroi Hoxha.
Ai tha se Shqipëria rithekson mbështetjen e saj të fortë dhe të palëkundur për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, duke dënuar fuqishëm çdo formë të separatizmit apo veprim që cenon rendin kushtetues të vendit.
“Ne ndajmë qëndrimin se integrimi në BE mbetet një shtytës kyç për zhvillim të qëndrueshëm, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Të dy vendet tona mbeten plotësisht të përkushtuara për të avancuar në këtë rrugë të përbashkët evropiane përmes reformave, bashkëpunimit më të ngushtë dhe përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) si dhe me vlerat dhe standardet e BE-së”, theksoi Hoxha.
Ministrat shprehën gatishmërinë për të vazhduar koordinimin dhe dialogun e afërt edhe në periudhën në vijim.
