Kështjella prej letre e Edi Ramës për sigurinë kibernetike nga shteti kriminal sionist
Shqipëria u zgjua të martën nën ethet e një tjetër dhunimi të të dhënave digjitale. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë u bllokua për disa orë, ndërsa e-mailet konfidenciale të deputetëve nisën të qarkullonin si dëshmi e pafuqisë sonë shtetërore.
Autoritetet zyrtare nxituan të drejtonin gishtin nga Teherani, duke përdorur sërish emrin e grupimit “Homeland Justice”. Por pyetja që qarkullon mes ekspertëve të sigurisë është e thjeshtë: a kemi të bëjmë me një sulm iranian, apo me një dështim spektakolar të mbrojtjes që na u shit si e pathyeshme pas vizitës pompoze të kryeministrit Edi Rama në Izrael, ku u premtua se të dhënat tona do të mbroheshin nga teknologjia më e përparuar?
Realiteti tregon një histori krejt tjetër. Qindra qytetarë raportuan se kolapsi preku edhe Ministrinë e Shëndetësisë, qendrat shëndetësore dhe spitalet, duke lënë mjekët pa qasje në të dhënat e pacientëve. Ky fakt nuk u raportua zyrtarisht, për të ruajtur fasadën e sukseseve imagjinare.
Është e pafalshme që pas dhjetëra miliona eurove të shpenzuara për AKSHI-n – institucion që është kthyer në simbol të tenderave të dyshimtë, nepotizmit galopant dhe skandaleve të njëpasnjëshme – siguria jonë kombëtare mbetet në këtë gjendje të mjerë, ku çdo grup hakerësh mund të hyjë si në shtëpinë e vet.
Nëse mbrojtja jonë është vërtet në dorë të kompanive izraelite, të prezantuara si shpëtimtare pas raporteve të Microsoft, CIA-s dhe Mossad-it në vitin 2022, si shpjegohet që sistemet tona bien si kështjella rëre përballë “Homeland Justice”?
Ky paradoks ngre dyshime të forta: ose teknologjia e blerë me paratë e shqiptarëve është e pafuqishme, ose autoritetet po na gënjejnë mbi autorësinë e sulmit për të mbuluar dështimin e tyre.
Zhgënjyes mbetet edhe roli i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili mjaftohet me njoftime të thata se po “konsultohet” me institucionet e tjera shtetërore, ndërkohë që nuk ka thirrur ende një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Një mbledhje e tillë do të nxirrte zbuluar seriozitetin e frikshëm të situatës, gjë që me sa duket nuk i leverdis për momentin Ramës. Miliona euro të taksapaguesve janë tretur në xhepat e klientelës në emër të digjitalizimit, ndërsa sot shteti shqiptar është i zhveshur dhe i pambrojtur. Siguria kombëtare është sakrifikuar për interesa korruptive dhe retorikë boshe ndërkombëtare.
Dhe pyetja mbetet e hapur: kush po e sulmon Shqipërinë – Irani, ndonjë grupim izraelit për të justifikuar pozicionimin e Tiranës pro-Tel Avivit në këtë konflikt, apo korrupsioni i brendshëm? /tesheshi
