Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se mund të ndërpresë tregtinë me Spanjën, duke akuzuar Madridin për mungesë bashkëpunimi me NATO-n, pasi Spanja ndaloi SHBA-në të përdorë bazat e përbashkëta në territorin e saj për sulme kundër Iranit, transmeton Anadolu.
“Mendoj se nuk po bashkëpunojnë fare. Spanja. Mendoj se kanë qenë shumë të këqij, aspak mirë. Mund ta ndërpresim tregtinë me Spanjën”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Madridi ka qenë “shumë i keq ndaj NATO-s” dhe nuk dëshiron të “paguajë pjesën e vet të drejtë”.
Trump përmendi politikat e Madridit ndaj aleancës, duke theksuar se Spanja përfiton nga mbrojtja e NATO-s, por prej kohësh ka kundërshtuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.
Këto deklarata vijnë mes tensioneve mes Washingtonit dhe Madridit për shkak të kundërshtimit të Spanjës ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Qeveria e majtë e Spanjës, e udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez, e ka cilësuar fushatën ushtarake “të pamenduar dhe të paligjshme” dhe ka ndaluar avionët amerikanë të përdorin bazat e përbashkëta në jug të Spanjës për ofensivën kundër Teheranit.
Trump gjithashtu kërcënoi se mund të vendosë embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës, ndërsa kritikoi Madridin për mosarritjen e objektivit të ri të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 5 pwr qind.
Dje, ministri i Punwve tw Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se marrëdhëniet me Washingtonin vazhdojnë të “funksionojnë normalisht” dhe se ambasadat e të dy vendeve vazhdojnë të mbajnë kontakte të rregullta diplomatike.
