Shqipëria parashikon ngritjen e 20 qendrave pritëse për të menaxhuar flukset e emigrantëve në vend për dy vitet e ardhshme, transmeton Anadolu.
Theksohet se në Shqipëri parashikohet ngritja e qendrave pritëse me fokus për emigrantët nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë dhe Serbinë si rrugë kalimi drejt Greqisë.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në uebfaqen e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore të Shqipërisë, në një periudhë ku fenomenet e migracionit po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe ndikojnë në dimensionet sociale, ekonomike, politike dhe kulturore të shumë shteteve, Shqipëria si një shtet i Ballkanit Perëndimor nuk është përjashtuar nga këto zhvillime.
Në dokumentin “Relacion shpjegues për projektvendimin për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore, për vitet 2026-2028”, thuhet se me këtë plan synohet përgatitja e të gjitha institucioneve dhe strukturave qendrore dhe vendore për përballimin dhe menaxhimin me sukses të krizës së flukseve të përziera migratore, që parashikohet të vijnë në rritje, në kufijtë dhe territorin e Shqipërisë.
Sipas dokumentit në fjalë, plani parashikon ngritjen e mbi 20 qendrave apo ambienteve pritëse në tre qarqe, në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Gjithashtu thuhet se projektakti ka për qëllim të parashikojë përmbushjen e kërkesave të emigrantëve për zhvendosje, evakuim, komunikim, strehim në situatë emergjente, ndihmë ushqimore, kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikosociale.
“Projektakti është hartuar në përgjigje të situatës emergjente migratore në rajon e cila ka prekur edhe vendin tonë. Flukset migratore drejt Bashkimit Evropian (BE) janë të lidhura ngushtësisht me pasigurinë në vendet e origjinës dhe të tranzitit, si Afganistan, Pakistan, Iran, Siri, Liban dhe Gaza. Këto rajone vazhdojnë të jenë burim lëvizjesh migratore. Emigrantët që arrijnë në këtë rajon shpesh kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, me dy rrugë kryesore migrimi: rruga qendrore përmes Serbisë dhe rruga përmes Shqipërisë”, theksohet ndër të tjera në dokument.
Gjithashtu theksohet se projektakti mbështet objektivat e Paktit Global për Refugjatët, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e refugjatëve, me fokus në sigurinë dhe dinjitetin e tyre.
Sipas autoriteteve shqiptare, politika kombëtare e emigracionit e Shqipërisë ka si qëllim menaxhimin e flukseve të migracionit dhe garantimin e të drejtave të emigrantëve.
