Ballina Sport Futboll Shqipëria pëson humbje nga Anglia

Shqipëria pëson humbje nga Anglia

Kombëtarja e Shqipërisë ka mbyllur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin 2026, në kuadër të Grupit F.

Të dielën, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria pësoi humbje nga Anglia, e cila më herët ka konfirmuar kualifikim direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Anglia triumfoi me rezultatin 2:0 për ta mbyllur një kampanjë të jashtëzakonshme, ku në tetë ndeshje të luajtura shënoi po aq fitore dhe nuk pranoi asnjë gol karshi 22 golave të shënuar.

Anglia e mbylli këtë cikël si e para e grupit me 24 pikë, 10 më shumë se Shqipëria, e cila do të paraqitet në fazën “play-off” në kërkim të një bilete për ngjarjen që vitin e ardhshëm do të mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Ndeshja e luajtur në Tiranë, në përgjithësi ishte e mirë me raste të shumta nga të dyja palët, ku pjesa e parë përfundoi pa gola – 0:0.

Në fund të pjesës së dytë, Anglia realizoi dy gola për ta konfirmuar fitoren.

Të dy golat në këtë përballje, i shënoi sulmuesi i Bayern Munchenit, Harry Kane.

Kane, fillimisht zhbllokoi rezultatin në minutën e 74-të, përpara se ta vulos fitoren 2:0 me golin e shënuar në minutën e 82-të.

Kombëtares shqiptare iu lënduan dy lojtarë në këtë përballje, fillimisht Elseid Hysaj që u detyrua të largohet nga fusha në pjesën e parë, si dhe Armando Broja në fund të pjesës së dytë, i cili u nxorr nga fusha me barrelë.

Exit mobile version