Ministrja maqedonase e Arsimit, me flamurin e vetëm maqedonishtes
Çështja e shqipes është rikthyer në Maqedoni, me protagoniste ministren e Arsimit aty, e cila kërkon që komunikimi, edhe me zyrtarë apo gazetarë shqiptarë, të bëhet vetëm në maqedonisht. Si shkak parësor ajo jep faktin se nuk e di shqipen, nuk e kupton atë, për të potencuar më pas se gjuhë zyrtare është vetëm maqedonishtja.
Në një mbledhje ku po debatohej në lidhje me propozimet për ndryshimet për ligjin e Arsimit të Lartë, Vesna Janevska kërkoi nga profesorët dhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës që të flisnin vetëm maqedonisht.
Të parët që reaguan ishin gazetarët e atyshëm, duke i thënë se për të tilla raste duhej të kishte një përkthyes me vete.
Por Janveska është kundërpërgjigjur duke thënë se gjuha zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase e ndaj të gjithë janë të detyruar ta flasin këtë gjuhë.
Dhe kjo nuk është hera parë që Janevska synon që të ndalojë përdorimin e gjuhës shqipe.
Në një tjetër rast, ajo i ka kërkuar kryetarit të Tetovës, Bilal Kasamit që në një konferencë të fliste maqedonisht me argumentimin se nuk e kuptonte. Mirëpo ky i fundit vijoi komunikimin me gazetarët në gjuhën shqipe.
