Ballina Autorë Opinione Shqiptarët dhe ndryshimet kushtetuese

Shqiptarët dhe ndryshimet kushtetuese

Salajdin Salhu

Kërkesa për heqjen e formulimit “gjuhë që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve” nuk është antieuropiane. BE-ja bazohet në respektimin e larmisë kulturore, etnike dhe gjuhësore. Heqja e këtij formulimi përçmues jo vetëm nuk e dëmton RMV-në, por e afron me vlerat themelore europiane.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Maqedonia e Veriut, sipas propozimit francez, obligohet t’i përfshijë bullgarët në kushtetutën e saj. Ky propozim është kornizë e bisedimeve për integrimin e vendit në BE. Qeveria, si propozuese e ndryshimeve kushtetuese, e ka themeluar një grup punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, siç thuhet, me ekspertë të së drejtës kushtetuese, gjyqtarëve të dikurshëm, profesorëve dhe përfaqësuesve të partive politike.

Parlamenti, përveç ndryshimeve kushtetuese, siç ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski, duhet të sjellë edhe vendime të tjera, që kërkojnë dy të tretat e votave dhe që ndërlidhen me reformat në administratë, gjyqësor dhe decentralizim. Të domosdoshme për afrimin e vendit me BE-në.

Opozita maqedonase dhe shqiptare e refuzuan pjesëmarrjen në grupin e punës. Nëse opozita maqedonase i konteston ndryshimet kushtetuese për qëllime politike dhe jo vetëm, opozita shqiptare kërkon që gjuha shqipe të jetë zyrtare sikurse gjuha maqedonase dhe mos të quhet “gjuhë që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve”. Kërkesa e opozitës shqiptare është e drejtë dhe nuk mund të vihet shenjë barazimi me kërkesën e opozitës maqedonase. Nëse opozita maqedonase shpreh qëndrime antieuropiane, opozita shqiptare nuk e ka kontestuar inkuadrimin e vendit në BE dhe as nuk ka shfaqur qëndrime antieuropiane.

Propozimi i VMRO-DPMNE për “kopjimin” e kushtetutës kroate është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për shqiptarët, të cilët, me regjistrimin e fundit, përbëjnë 30 për qind të popullsisë së përgjithshme në vend. Modeli kroat nuk i përshtatet realitetit shumetnik, shumëkulturor e shumëgjuhësor në Maqedoninë e Veriut, që nuk mund të funksionojë si shtet monoetnik, duke i trajtuar shqiptarët si pakicë.

Kërkesa për heqjen e formulimit “gjuhë që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve” nuk është antieuropiane. BE-ja bazohet në respektimin e larmisë kulturore, etnike dhe gjuhësore. Heqja e këtij formulimi përçmues jo vetëm nuk e dëmton RMV-në, por e afron me vlerat themelore europiane. Përveç kësaj, shqiptarët në Maqedoni të Veriut nuk janë popull i ardhur, por autokton.

Nëse Maqedonia e Veriut e dëshiron integrimin në BE, pavarësisht ndërkëmbëzave, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, që pa një presion ndërkombëtar duken të vështira, sepse mungojnë numrat në parlament.

Gjithashtu, çdo ndryshim i kushtetutës, pa e hequr formulimin përçmues “së paku 20 për qind”, do të thotë dështim i partive shqiptare në pushtet. Ato i kanë të gjitha mundësitë ta heqin këtë formulim dhe askush s’mund t’i akuzojë se janë kundër integrimit europian. Kuptohet, nëse duan. Këtë ndryshim mund t’ia imponojnë LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Sepse, as LSDM-ja, që është në pushtet, dhe as VMRO-DPMNE-ja, që e pretendon pushtetin, nuk mund t’i anashkalojnë partitë shqiptare.

Çdo zmbrapsje për ta hequr formulimin e lartpërmendur nga kushtetuta, me justifikimin se shqiptarët nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin e vendit në BE, “duke u hapur çështje të tjera”, do të thotë se partitë shqiptare në pushtet nuk i përfaqësojnë kërkesat e shqiptarëve të RMV-së dhe as nuk kanë të drejtë morale që të thirren në emrin e votuesve shqiptarë, të cilët e kërkojnë unanimisht këtë ndryshim.

Partitë në pushtet thonë se çdo kërkesë duhet të adresohet te grupi i punës. Loja me grupe punuese na kujton thënien e njohur: nëse dëshiron mos ta zgjidhësh një problem, atëherë krijo komisione! Shtrohet pyetja: përse gjithë këta ekspertë vetëm për t’i futur bullgarët në kushtetutë? Sepse, përveç këtij ndryshimi, duhet të diskutohet edhe për heqjen e formulimit “së paku 20 për qind”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se nuk shqetësohet nga zëvendësimi i “20-përqindëshit” me gjuhën shqipe në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, sepse identitetin e qartë dhe të pacenueshëm të një etnie nuk duhet ta fshehim pas numrave, por bëri me dije se qëndrimi i tij nuk ishte i gjithëpranuar në hapësirën maqedonase.

Praktika ka dëshmuar se Maqedonisë së Veriut nuk i ka ardhur asgjë e keqe nga avancimi i pozitës së shqiptarëve, përkundër rezistencës së përhershme të elitave politike maqedonase. Nuk është cenuar as ekzistenca e shtetit dhe as identiteti i maqedonasve. Shqiptarët kanë dëshmuar se janë për bashkëjetesë ndëretnike, por në pozita të barabarta. Dhe, e kundërta, shteti i është afruar humnerës kur kërkesat e shqiptarëve janë shtypur me represion.

Amin Maalouf, në librin Identitetet vrastare, porosit që ta shohim “Tjetrin” me dashamirësi dhe jo me armiqësi, sepse kur dikujt i përbuzet gjuha, kombi, kultura, feja, atëherë reagon me kokëfortësi duke i mbrojtur veçantitë. E kundërta ndodh kur “Tjetri” e ndjen se respektohet.

“Për të shkuar me vendosmëri drejt tjetrit, duhet t’i kesh krahët hapur dhe kokën lart… Nëse ai tjetri, gjuhën e të cilit unë e mësoj, nuk e respekton timen, të folurit e gjuhës së tij nuk mund të jetë më një shenjë hapjeje, por shndërrohet në akt detyrues dhe nënshtrues”, thotë Maalouf. /revistashenja

Exit mobile version