Shqiptarët e Luginës kërkojnë të drejta të njëjta me serbët e veriut të Kosovës

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, në takimin e mbajtur sot në Bujanoc, ka miratuar deklaratën e përbashkët, me të cilën kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të Luginës në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Në kopjen e deklaratës politike, të cilën e ka publikuar portali Presheva.com, ndër tjera thuhet se “Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet rajoni më i diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë”.

Në këtë deklaratë politike kërkohet realizimi i plotë i të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ngritja substanciale e monitorimit të vazhdueshëm të Bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të vlerësimit real të pozitës ë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Nga të gjitha palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet me aplikimit të parimit të reciprocitetit, me të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Tutje thuhet se pa zgjidhjen e këtyre të drejtave, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Kosoës e Serbisë.

Nga 68 këshilltarë shqiptarë sa kanë gjithsej Kuvendet Komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në Kuvendin e  Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës morën pjesë 50 këshilltarë. /Telegrafi/

Exit mobile version