Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqiptarët me dy lista në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi

Shqiptarët me dy lista në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi

Aleanca Shqiptare dhe Forumi Shqiptar janë dy blloqe të cilat i kanë paraqitur listat për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Malit të Zi që pritet të mbahen më 11 qershor.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të garojnë 15 lista.

Nga 81 vende deputetësh aq sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje do ta provojnë edhe dy lista me nga 60, gjegjësisht 67 emra shqiptarësh.

Pra, bëhet fjalë për koalicionin Aleanca Shqiptare e përbërë nga partia Forca, Lidhja Demokratike dhe Lista për Tuz, ndërsa në bllokun tjetër garojnë Forumi Shqiptar me moton “BESA për zhvillim evropian”.

Në mesin e listave për deputetë ka edhe koalicione të etniteteve tjera, si boshnjakët, kroatët, dhe lista tjera të pavarura.

Afati për dorëzimin e listave ka skaduar më 16 maj në mesnatë dhe janë dorëzuar gjithsej 17 lista. Në ndërkohë, KSHZ-ja hodhi poshtë dy lista, grupin e qytetarëve “La casa de papel” dhe Aksionin qytetar malazez.

Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për 11 qershor e ka marrë ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, më 17 mars, dy ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe një ditë më parë ka nxjerrë edhe Dekretin për shpërbërjen e Parlamenti i Malit të Zi.

Mali i Zi pati dy raunde zgjedhjesh presidenciale në mars dhe në fillim të prillit të këtij viti, kur Jakov Millatoviq u zgjodh president i ri i Malit të Zi.

Exit mobile version