Ballina Autorë Opinione Shqiptarët ndërmjet përkrahjes, intrigës dhe hipokrizisë perëndimore

Shqiptarët ndërmjet përkrahjes, intrigës dhe hipokrizisë perëndimore

Hajrudin. S. MUJA

Nuk mbaj mend të ketë dalë ndonjëherë ndonjë udhëheqës i ndonjë shteti europian që ta ketë shtruar problemin e vënies në vend të një padrejtësie të madhe që u është bërë shqiptarëve! Të ketë folur së paku, që t’ua kthejnë Shqipërisë tre të katërtat e territorit të saj, që ia falen padrejtësisht Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë!

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Deri në çerekun e parë të shekullit të kaluar, shumica e informacionit që sot kemi për Shqipërinë dhe shqiptarët ekspozohen në libraritë perëndimore dhe kanë për autorë të huajt, udhëtarë, zyrtarë dhe studiues perëndimorë, që kaluan përgjatë shekujve nëpër vendet e shqiptarëve, të cilët na kanë lënë të dhëna interesante, siç janë: Harff (1471-1505), Brown (1644-1708), Wilkinson (1797-1875), Hecquard (1814-1866), Creagh (1835-1915), Knight (1852-1925), Hahn (1811-1896), Ippen (1861-1935), Durham (1863-1944) etj. Ata janë vetëm disa nga emrat e këtyre autorëve, pa të cilët albanologjia e sotme nuk do të ishte e mundur! Natyrisht që secili udhëtim dhe secili shkrim i tyre kishte një qëllim brenda vetes, por pavarësisht qëllimit ai posedonte këndvështrimin dhe politikën perëndimore kundrejt botës shqiptare, politikë që ka filluar së paku nga koha e Perandorisë Romake dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme, me një “pauzë të pashpresë” gjatë periudhës osmane!

Historia na mëson se Iliria ose, më saktë, Iliriku, ishte një rajon i gjerë ndërmjet Italisë, Gjermanisë, Trakisë dhe Maqedonisë, që nga njëra anë kishte Jonin e Adriatikun dhe nga tjetra Danubin [Boccaccio: 1644]. Duke qenë një rajon me pozitë të volitshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike, posaçërisht për vendet e Europës Jugore dhe Qendrore, ai mbeti përherë një skenë konfliktesh interesi [Journal of Economics and Sociology, Prill 1946, f. 363-377]. Vend-ndodhja e saj strategjike bëri që Robin Alison Remington të pohonte njëherë se: “Shqipëria është një shtet pak më i madh se Maryland, me një rëndësi strategjike në madhësinë e Kinës” [Biberaj: 1998, f. XI]!

Përgjatë gjithë historisë, si popujt e Lindjes ashtu edhe ato të Perëndimit, e kishin bërë si një udhëkryq, në të cilin vazhdimisht sollën me vete vlerat e tyre fetare dhe kulturore dhe ndikuan disi si tek ilirët, ashtu edhe tek pasardhësit dhe vendin e tyre, që quhet Shqipëri [Journal of Islam in Asia, Mars 2011, f. 399-400]! Nëpër të “rrugëtuan” të gjitha fiset barbare: hunët, gotët, visigotët, ostrogotët, sllavët, etj [Kola: 2007, f.128]. Për ndryshim nga të tjerët, të cilët bënë vetëm një “rrugëtim”, këta të fundit, përmes migrimit dhe pushtimit, u vendosën nga shekulli VI dhe VII dhe qëndruan duke shkatërruar gjithçka që gjetën, duke përhapur frikë e shqetësim dhe duke u hequr nga një copë popujve që gjetën këtu [Beach & Rines: 1903, f.224].

Gjatë sundimit të Perandorisë Romake (395-1453), ilirët u tkurrën nga Bistrica Ilire [Ilirska Bistrica] që gjendet në Slloveninë e sotme dhe shtrihej gjer në Artë, për të mbetur një grusht shqiptarësh, kryesisht nëpër malet e Ballkanit jugor, që mundën ta ruanin gjuhën. Bashkë me Adriatikun, ajo e konsideroi për të veten për një kohë të gjatë [Journal of Economics and Sociology, Prill 1946, f.363-377]. Mizoritë e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve e të qeveritarëve romakë, taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve, i shtynë në kryengritje ilirët e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë e më i rëndë, në krahinat e pushtuara nuk ishin të siguruara as gjëja, as nderi dhe as jeta e ilirëve [Polybius: 2003].

Ne kurrë nuk na ka mësuar historia se aleancat perëndimore latine (francez, anglez, gjerman, polak, italian, spanjollë dhe vende të tjera të Perandorisë Perëndimore), të dala nga një përçarje dhe kaos i madh fetar, por të quajtura “kryqëzata”, i kanë mbajtur të pushtuara viset e Shqipërisë së sotme nga viti 1199 dhe 1261. Se mbreti i famshëm anglez i kësaj aleance, Riçard Zemërluani, në krye të këtyre kryqëzatave vepronte me bekim të papës, jo për ta shpëtuar “Varrin e Krishtit” në Jerusalemin (nga të pabesët), por për pushtuar, për të dominuar dhe për të plaçkitur pasuritë përrallore të Lindjes. Në vitin 1213, kur po planifikohej kryqëzata e pestë, secilit pjesëmarrës “do t’i faleshin mëkatet”, kurse për të paaftit kisha do të mblidhte një takesë të veçantë (1216). Për më tepër, të njëzetat e gjithë të ardhurave të kishës, komisioni papnor vendosi t’i sponsorizojë për kryqëzatat “e shenjta” [Hallam: 1997, f.201]! Ata filluan me Zarën, morën gjithë Ilirinë dhe shkuan deri në Konstantinopojë dhe në Egjipt, ku vodhën tre të katërtat e arit botëror. Kush ishin kryqtarët që i ranë për hise edhe vendit që sot quhet Shqipëri? Një konglomerat njerëzish të etur për gjak, hajdutë, kriminelë të ndryshëm, horra, cuba, karrieristë, tregtarë etj., të cilët me bekimin e papës vendosën simbole me kryqe, për t’u dukur si “ushtarë të Krishtit”, që po bënin “luftë të shenjtë” dhe po merrnin “rrugën për Parajsë” [Karabel: 2007, f.92]. Shqipëria u bë teatër luftërash, mizorish dhe plaçkitjesh, të cilat nuk patën asnjë karakter të krishterë.

Përplasjet e romakëve, të bizantinëve dhe të sllavëve (1346-1371) sollën edhe një shndërrim për këta të fundit, duke humbur kështu edhe emrin Iliri, për t’u hasur më pastaj si fise “Albanoi”. Perandoria Bizantine rrezikoi zhdukjen e shqiptarëve, për gjuhë kishtare vendosi gjuhën sllave dhe greke dhe u bë kisha kombëtare greke, përkatësisht sllave, prandaj kushdo që ortodoksizohej, njëkohësisht greqizohej ose sllavizohej [Feraj: 1998]. Ata ua shkaktuan shqiptarëve dëmet më të mëdha e të pariparueshme, duke i tkurrur deri në kornizat e sotme mjerane. Shpëtuan vetëm ata që mundën dhe u strehuan në vende ku nuk mund të shkelte këmba e njeriut dhe ku mendja e njeriut nuk ishte në gjendje t’i diktonte [Kulçe: 2004, f.15]! Ata po shuheshin tërësisht po të mos ndodhte konquista osmane, në kuadër të së cilës shqiptarët u ringjallën dhe i rikthyen pjesët e trojeve të veta deri në Nishin e sotëm, në Vardar dhe në Artë [Rimëkëmbja, 14. 4. 2000]. Ata krijuan katër vilajetet, duke respektuar traditën e vjetër arbërore të fiseve: Vilajetin e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, vizitoret britanike, Georgina Muir Mackenzie (1833-1874) dhe Adeline Paulina Irby (1831–1911), e shpjegojnë më mirë politikën cinike antishqiptare që ndoqi Anglia në prag të kolapsit të Perandorisë Osmane, pjesë e së cilës ishin edhe shqiptarët. Ato ishin simpatizuese dhe mbështetëse të Serbisë dhe sllavëve të jugut. Librin e tyre “Travels in the Slavonic Provinces of Turkey in Europe” kryeministri anglez William E. Gladstone (1809-1898) e vlerësoi si “libri më i mirë që kam lexuar për çështjet lindore”. Priftit William Denton i pati dërguar një letër (1865), ku i kërkonte të përkrahte e të respektonte çështjen e Serbisë dhe të Malit të Zi: “mbaj anën e tyre” [Shannon: 1984, f.514]. Njëjtë pati vepruar edhe diplomati William Miller, i cili malazezët, që synonin grabitjen e vendeve shqiptare, i vlerësonte si: “pasardhës të aristokracisë antike serbe” [Minchin: 1886, f.7; Shwartz: 1883, f.435]. Ishte Gladstone ai që, përmes kërcënimit të hapur të fuqisë detare, e detyroi sulltanin t’ia dorëzonte Malit të Zi Ulqinin (1880) [Belegu: 1939, f.109], që do t’i shërbente Nikollës për të dalë në detin që “Zoti ua kishte dhënë atyre”, por që e kishin humbur prej kohësh [Morley: 1903, II, f.556-557]! Shtetet e Fuqive të Mëdha u dakorduan, përfshi edhe Austro-Hungarinë, e cila përmes ambasadorit i kërkoi Portës të mos e zgjaste dorëzimin e Ulqinit ose të përballej me flotën e Fuqive në Izmir [Rastoder: 2011, f.146]!? Për më tepër, konsulli anglez në Shkodër, Kirby Green, më 30 nëntor 1880, ende pa hyrë trupat e Malit të Zi në qytet, i dërgoi Nikollës telegram urimi! Një vit më vonë, Gladstone u bë shkak që edhe Thesalia t’i jepej Greqisë, gjë që e tronditi besimin e Sulltanit në Britaninë e Madhe [Quarterly Review, Korrik 1917]. Gladston-i nuk i kishte vizituar kurrë këto krahina dhe as që e njihte historinë e tyre, por pak rëndësi kishte kjo, pasi në mendjen e tij “të gjithë muslimanët ishin turq” dhe “të gjithë të krishterët e Ballkanit ishin engjëj”. Në planin e tij, derisa Krishterimi shfrytëzohej si një “armë ideologjike për zgjerimin kolonial”, Islami shfrytëzohej “për mbrojtje kundër kolonializmit”, përmes të cilit e pësuan edhe shqiptarët.

Edhe dy zonjat angleze, Mackenzie dhe Irby, me këtë mision erdhën në Ballkan, ku gjetën sllavët “e civilizuar” dhe shqiptarët “e pacivilizuar”! Këta të fundit, duke pranuar sundimin dhe fenë e sulltanit, arritën poste të larta qeveritare dhe “mundësi për të shtypur e dëbuar serbët”. Në vlerësimin e tyre, arnauti, që përfaqësonte “racën pushtuese”, ishte “një problem”, kurse serbi, që do të pushtonte vendet shqiptare, ishte “një zgjidhje! Pasi vizituan Shkupin, Kaçanikun, Vushtrrinë, Prizrenin, Prishtinën, Shkodrën dhe qytete të tjera, shqiptarët i panë të gjithë të njëjtë: dallaverxhinj, hajna, gënjeshtarë dhe me tipare të tjera jocivilizuese. Madje, as mirësjelljen dhe mikpritjen që e gjetën në mesin e tyre nuk e vlerësuan si virtyt! Çdo e keqe kishte vetëm një emër: “Muslulman aranaut”! Në fund të librit bëhet e “natyrshme” që gjithçka që ishte arnaute dhe muslimane të ishte pa shije, sepse ky ishte qëllimi i zonjave angleze, që t’ia përcjellin mesazhin William E. Gladston-it se Europa duhej të çlirohej prej kësaj race të egër dhe ta vinte fuqinë britanike për t’i realizuar ëndrrat serbo-malazeze mbi trevat shqiptare!

Përkrahjet e pretenduara të Austro-Hungarisë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët ishin në fakt interesat e saja jetike që kishte në Ballkan [Illyria, 28.XI – 5.XII 2011]. Në periudhën e hershme ajo ishte ndihmësja dhe aleatja më e rëndësishme e Serbisë. Ajo qe nxitësja kryesore për kryengritjen e fundshekullit XVII, kur së bashku me serbët dhe Pjetër Bogdanin e masakruan popullatën muslimane vendase dhe ua kthyen xhamitë në kisha [Malcolm: 1998. 139-162]. Gjatë luftërave austro-osmane (1788-1791 dhe 1799-1809) qe Austro-Hungaria ajo që i përzuri shqiptarët nga Pashallëku i Beogradit, ashtu që nga 50.000 banorë sa kishte, aty mbeten 25.000, kryesisht të krishterë [Devaja: 2012]! Në marrëveshjen sekrete me Serbinë (1881), ajo i lejonte asaj zgjerimin drejt jugut (Kosovës), me kusht që ajo të mos synonte zgjerimin drejt Bosnjës “austro-hungareze” [Bajrami: 2022, f.241]. Malit të Zi ia ofroi Shkodrën në këmbim të Llovqenit, që shikonte portin austro-hungarez të Kotorrit, ofertë të cilën Nikolla i Malit të Zi e refuzoi, sepse druhej se do ta humbiste fronin [Treadway: 1998, f.126]. Këtë sekret e shpalosi i dërguari i Malit të Zi, Andre Radoviq, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), me qëllim që ta përdorte për mobilizimin e opinionit europian kundër monarkisë! Më pastaj, kur Mali i Zi u ankua se kishte mungesë armatimesh në luftë kundër shqiptarëve, që i quanin “turq”, Vjena i siguroi se nuk do t’i pengonte armatimet ruse dhe bullgare përmes portit të Tivarit [Raznatovic: 1979, f.95]. Për më tepër, Baroni Theomel i premtoi Malit të Zi përkrahje në kontestin territorial me Perandorinë Osmane, përkatësisht me territoret shqiptare, një përkrahje pazaresh të kushtëzuara me qëndrimin neutral lidhur me pushtimin austro-hungarez të Bosnjë e Hercegovinës [Rizvanolli: 2007].

Interesi i Austro-Hungarisë për territoret shqiptare ishte shfaqur prej vitit 1866, kur ajo kishte vendosur t’i zgjeronte territoret e saj drejt juglindjes dhe ta pengonte me çdo kusht daljen e Serbisë në Adriatik [Schanderl: 1971, f.59]. Në vitin 1877, konsulli Lippich e kishte hartuar një memorandum, sipas të cilit Monarkia do t’ië pushtonte rajonet shqiptare të veriut dhe të verilindjes, duke ndërsyer katolicizmin kundër ortodoksisë dhe mendonte se shqiptarët myslimanë duhej konvertuar në katolikë, një plan që për shkak të rrethanave të kohës nuk u vu në zbatim! Përveç kësaj, autoritetet austro-hungareze synonin të përgatisnin krijimin e një principate autonome, të drejtuar nga një princ i huaj nën mbrojtjen e Monarkisë, që do ta përfshinte veriun dhe territoret e Shqipërisë së Mesme, duke ia lënë jugun Greqisë [Clayer: 2009, f.19]! Në luftërat ballkanike (1912-1913), ajo vërtetë e detyroi Malin e Zi ta lëshojë Shkodrën e pushtuar me qëllim të pengimit të penetrimit të Serbisë dhe Malit të Zi në sferën e ndikimit të saj [Tucoviq: 2017, f.63], por këto ishin pazaret e fundit që i bëri me Rusinë, që Gjakova, Prizreni dhe Dibra t’i bashkoheshin Serbisë [Bajrami: 2022, f.49], ndërsa fusha pjellore e Pejës t’i lihej Malit të Zi [Puto: 1978, f.190]. Shqiptarët, natyrisht, u ndjenë sikur e gjithë bota ishte rreshtuar kundër tyre [Glenny: 2007, f.153] dhe prandaj shumë prej tyre dëshironin të rronin nën mbrojtjen e Perandorisë Osmane, e cila po shuhej përfundimisht [Belegu: 1939, f.64]. Shkodra do t’i kompensohej Malit të Zi me një ndihmë monetare [Fallon: 1925, f.261] dhe do t’i ndihmohej për tharjen e Liqenit të Shkodrës. Ajo ftoi pastaj forcat politike të Fuqive të Mëdha, që ta përkrahnin kërkesën e saj për pavarësinë e Shqipërisë [Hantsch: 1963, I, f.359-364; Schmitt: 2012, f.140], duke i ndarë shqiptarët në pesë shtete dhe duke i gjymtuar nga 90.100 – 90.270 km2 me 3.804.000 banorë, sa kishte brenda katër vilajeteve, në 28.760 km2, me rreth 800.000 banorë, një sipërfaqe anësore e Shqipërisë Natyrale, pa gjymtyrët vitale për jetë shtetërore [Këlcyra: 2012], duke e shpërndarë kombin shqiptar në 5 shtete të kufizuara me shtetarët e tij! Sot shqip flitet vetëm në 45 mijë kilometrat katrore të saj! Është po ajo që në vitin 1880, bashkë me Gjermaninë, kishte refuzuar propozimin për krijimin e një shteti shqiptar [Jezernik: 2004, f.87].

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u nda në disa zona pushtimi: Shqipëria Veriore, Shqipëria e Mesme dhe Shqipëria Jugperëndimore deri në Vjosë, që ishin zonë e pushtimit austro-hungarez, Shqipëria Jugore ishte zonë e pushtimit italian, Shqipëria Juglindore – zonë e pushtimit francez dhe një pjesë e Shqipërisë Lindore zonë e pushtimit bullgar. Gjatë kësaj kohe, fuqitë e dy grupeve ndërluftuese “Antanta” [Anglia, Rusia dhe Franca] dhe Blloku Qendror [Austro-Hungaria dhe Gjermania] e trajtuan Shqipërinë si monedhë këmbimi [Basha: 2011, f.9].

Ndërmjet luftërave ballkanike dhe vitit 1922, me miratimin e heshtur të Europës plakë, forcat angleze, franceze, bullgare, serbe dhe greke i pushtuan jo vetëm viset shqiptare, por edhe pjesën më të madhe të Turqisë, duke lënë të vrarë hiç më pak se 400.000 shqiptarë, turq e hebrenj dhe të dëbuar më shumë se një milion [Rimëkëmbja, 11.11.2004]. Përgjatë shekullit XX, shqiptarët, si asnjë vend tjetër i Europës, jo vetëm që e përjetuan pushtimin fashist dhe regjimin komunist, por edhe një dhunë e kërcënim të vazhdueshëm prej fqinjëve shovinistë, kolonizimin dhe pastrimin etnik. Asnjë populli tjetër nuk i kushtoj aq shtrenjtë vendosja e komunizmit në Ballkan, por askush si shqiptarët nuk e paguan shembjen e sistemit socialist në Europë dhe rikthimin drejt demokracisë, që u kthye në karikaturë!

Në ndezjen e konfliktit të fundit në Kosovë, faktori ndërkombëtar perëndimorë, me qëllime “të mira” për një kohë të gjatë u kërcënohej serbëve dhe u binte shqiptarëve! Kur ndërhyri me forcat e NATO-s, boll menduan shqiptarët se po u del zot për të çuar në vend padrejtësitë e mëdha që u bëri përgjatë një shekulli, por sërish u zhgënjyen. Europa për mrekulli e ka shitur veten si reformatore e madhe demokratike, duke shpenzuar mijëra tonelata letër në ditë, duke shkruar për emancipimin, për lirinë dhe për të drejtat e njeriut, por me shqiptarët ka mbetur po ajo “kurva e motit” e Gjergj Fishtës! Nuk mbaj mend të ketë dalë ndonjëherë ndonjë udhëheqës i ndonjë shteti europian që ta ketë shtruar problemin e vënies në vend të një padrejtësie të madhe që u është bërë shqiptarëve! Të ketë folur së paku, që t’ia kthejnë Shqipërisë tre të katërtat e territorit të saj që ia falen padrejtësisht Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë!

Është po ajo Europë e standardeve të dyfishta që sot ka gjetur mënyra të reja për shkatërrimin e tyre, duke dërguar misionarë të palodhshëm në futjen e përçarjeve fetare dhe ka gjetur argat në intelektualizmën shqiptare me shumë shkollë e me pak mend! Ajo na solli në Shqipëri të këqijat më të mëdha të njerëzimit: korrupsionin, krimin e organizuar, mafien, trafikun e qenieve njerëzore, prostitucionin etj., sepse shqiptarët nuk i kanë pasur dhe nuk i kanë njohur kurrë këto të këqija! Në vend që t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga ambiciet territoriale në Kosovë, ajo e detyron këtë të fundit në koncesione! Hipokrizi në demarkacion, në liberalizim, në asosiacion, sjellje tipike monarkiste të shekullit XV! Serbia, që është shkaktarja e të gjitha luftërave në Ballkanin e fundshekullit të kaluar, shkaktare e gjakderdhjes së qindra mijë viktimave, vrastare masive, shkaktare për gjenocid, dhunime e dëbime, ia doli të futet në shinat e Europës e ta marrë statusin për kandidat, pa kërkuar falje për bëmat e saj!

Pavarësisht se si e trajtojnë perëndimorët çështjen e shqiptarëve, është mirë ta kthejmë pasqyrën nga vetja dhe të mos ia lëmë gjithmonë fajin tjetrit. A kanë faj shqiptarët që pas 111 vjet pavarësi ende nuk kanë shtet, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?! Nuk thoshte kot Konica se: “e keqja e shqiptatëve janë vetë shqiptarët”! Ne jemi këtu dhe kështu si jemi, sepse kurrë nuk e kemi parë veten me sy ashtu siç jemi. Çdo pushtuesi që ka kaluar në periudhat mijëvjeçare pa përjashtim u jemi shitur dhe u kemi shërbyer! Ne vazhdimisht kemi krijuar heronj e armiq të rremë, sepse popujt e vegjël kanë nevojë për mite e legjenda! Ne ende vazhdojmë me përralla e gënjeshtra “intelektuale” për përpjekje ose krijim të shtetit kombëtar në kohën e princërve feudalë që nuk kanë asnjë lidhje me kombin, sepse vetë nocioni “komb” i përket shekullit XIX [Lodge: 2010]! Ne kemi mohuar Zotin dhe në një moment vetë i kemi prishur xhamitë e kishat! Kemi prishur varrezat e të parëve tanë! Pas shembjes së monizmit, e fituam të drejtën për të qenë narkomanë, alkoolistë, homoseksualë, hajna, plaçkitës, fajdexhinj e kumarxhinj. Kemi të drejtë të vishemi si prostituta në çdo qendër shoqërore e administrative, por vetëm me shami nuk kemi të drejtë, se nuk e lejon “laicizmi”!?

Televizionet groteske e vulgare, me programet dhe spektaklet e tyre artificiale, po shërbejnë më “së miri” për dekadencën e shoqërisë. Ato janë promovuese të procesit prevers mediatik që e ka rrënjosur bindjen se gjithçka i takon pamjes së jashtme, në kërkim të famës, të suksesit dhe të bukurisë, për ta rritur numrin e shikueshmërisë dhe të klikimeve! Kështu ato kanë kultivuar vrazhdësinë, injorancën, si dhe varfërinë morale dhe kulturore si modele këto të marrëdhënieve shoqërore, kanë ngritur e famësuar personazhe injorante pa asnjë edukatë, pa asnjë vlerë artistike, pa kulturë dhe pa moral. Brezi i sotëm imiton në mënyrë të egër arrogancën, gënjeshtrën, pamjen e jashtme, provokimin, vrazhdësinë që përhapin personazhet e këtyre televizioneve. Brenda shkollës janë analfabetë funksionalë, që nuk kanë më respekt për të qenë të ndershëm, por vetëm me ëndrrat që të pasurohen brenda ditës dhe të bëjnë pjesë në rrethin e përditshëm të famës. Kështu jemi bërë një shoqëri hipokrite, që e ka humbur nervin për ta ndëshkuar të padrejtin, hajdutin dhe të fortin që kërkon ta sfidojë ligjin. Ne jemi “modernizuar” me shekullarizëm, me trafikime të drogës, të grave, fëmijëve dhe vajzave, me jetë të shthurur amorale, jetë të homoseksualizmit, pedofilisë, pornografisë e shkatërrimit familjar. Ne e kemi humbur rolin e nënës, të babait, të djalit, të vajzës, të vëllait, të motrës dhe e kemi përjashtuar fenë dhe nevojat tona shpirtërore.

Nuk kemi, pra, arsye të mbajmë shpresat nga jashtë, sepse ndryshimi nuk lind nga jashtë, por nga brenda. Ai fillon me ndryshimin e koncepteve, të kulturës dhe vetëperceptimit që kemi ne si popull! Kot mendojmë, shpresojmë, flasim dhe veprojmë për ndërtim elitash të reja, nëse nuk e konceptojmë brenda individit, të familjes dhe të shoqërisë. Ne duhet t’i lutemi Zotit të na ruajë nga rivaliteti i të pabesëve, nga “dashuria” e mashtruesve, nga hipokrizia e të poshtërve, nga tradhtia e të afërmve dhe nga miqësia e tradhtarëve! Ne duhet të zgjohemi sa nuk është vonë, ta kuptojmë thelbin nga na vjen ndryshimi, ta marrim seriozisht dhe ta zbatojmë këshillën hyjnore se: “Perëndia nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli, përderisa ai popull të mos e ndryshojë vetveten”. /revistashenja

Exit mobile version