Ballina Lajmet Kosovë Shtatë të arrestuar për dhunë në familje

Shtatë të arrestuar për dhunë në familje

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Policia, në Prishtinë është arrestuar një grua pasi e ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj duke i shkaktuar edhe lëndime trupore, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

Ndërkaq në Gjilan janë arrestuar dy persona në raste të ndara. Njëri pse ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën, ndërkaq tjetri është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij. E njëjta ka marrë edhe trajtim mjekësor.

Në Suharekë një i dyshuar është arrestuar pse ka ushtruar dhunë në familje e pastaj ka sulmuar edhe zyrtarët policorë, duke i goditur me thikë. Zyrtari policor me autoambulancë është dërguar në spitalin rajonal në Prizren për tretman mjekësor.

Në Dragash është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti kishte penguar viktimën (rejën e tij) të hynte në shtëpi me pretekst se ajo është në procedura të divorcit në gjykatë. Viktima është dërguar në strehimore. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

E në Gjakovë është arrestuar i dyshuari për kanosje të bashkëshortes së tij. Edhe në Leposaviq është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj anëtarëve të familjes së tij.

Exit mobile version