Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shtëpia e Bardhë shpall bordin drejtues për planin e qeverisjes së Gazës

Shtëpia e Bardhë shpall bordin drejtues për planin e qeverisjes së Gazës

International executive board named as Washington advances technocratic governance, demilitarisation and reconstruction of Gaza / AP

Shtëpia e Bardhë ka bërë publike përbërjen e “Bordit të Paqes” për Gazën dhe ka konfirmuar udhëheqjen e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), në kuadër të planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza.

Sipas njoftimit zyrtar, NCAG do të drejtohet nga Dr. Ali Sha’ath, ish-zëvendësministër i Autoritetit Palestinez, i përshkruar si një figurë teknokrate e respektuar. Ai do të mbikëqyrë rikthimin e shërbimeve publike, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme, duke hedhur bazat për qeverisje afatgjatë.

Një Bord Ekzekutiv do të mbështesë procesin e qeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve nën ombrellën e “Bordit të Paqes”. Mes anëtarëve të shpallur janë: ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan, i dërguari i posaçëm i Trump Steve Witkoff, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, ministrja e Emirateve të Bashkuara Arabe Reem Al-Hashimy, diplomati nga Katari Ali Al-Thawadi, shefi i inteligjencës egjiptiane Hassan Rashad, ish-i dërguari i OKB-së Nickolay Mladenov, biznesmeni Yakir Gabay dhe politikania holandeze Sigrid Kaag.

Bordi Ekzekutiv do të kryesohet nga vetë presidenti Trump dhe do të përfshijë gjithashtu sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga dhe këshilltarin politik Robert Gabriel. Mladenov do të shërbejë si Përfaqësues i Lartë për Gazën, duke koordinuar mes Bordit të Paqes dhe NCAG.

Ndërkohë, gjeneralmajori Jasper Jeffers është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF). Aryeh Lightstone dhe Josh Gruenbaum janë caktuar këshilltarë të lartë për strategjinë dhe operacionet e përditshme, ndërsa emërime të tjera priten në javët në vijim.

Njoftimi vjen pasi u konfirmua se armëpushimi ka hyrë në fazën e dytë, e fokusuar në çmilitarizim, qeverisje teknokrate dhe rindërtim. Kjo fazë parashikon tërheqje të plotë izraelite, çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një force ndërkombëtare dhe krijimin e një administrate të përkohshme teknokrate.

Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, Izraeli vijon shkeljet: sulme ajrore në Gaza kanë vrarë të paktën tre palestinezë, përfshirë një vajzë 10-vjeçare, një djalë 16-vjeçar dhe një grua të moshuar, vetëm një ditë pas shpalljes së fazës së dytë të planit amerikan. /mesazhi

Exit mobile version