Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shtetasi amerikan Travis Pete Timmerman, i zhdukur në Siri, filmohet nga Anadolu

Shtetasi amerikan Travis Pete Timmerman, i zhdukur në Siri, filmohet nga Anadolu

Një burrë amerikan që e identifikoi veten si Misuriani Travis Timmerman flet me Elizabeth Palmer të CBS News në Siri, 12 dhjetor 2024.

Shtetasi amerikan Travis Pete Timmerman, i cili u zhduk në Siri, është filmuar nga Anadolu në një fshat në jug të Damaskut.

Gazetarët e Anadolut në Damask vizituan shtëpinë e fshatit në jug të kryeqytetit, ku ndodhej Timmerman, i cili u lirua nga njësitë e sigurisë pas rrëzimit të regjimit Baath më 8 dhjetor.

Timmerman, i cili u pa i rraskapitur dhe i lënë pas dore, tha për Anadolu se “7 muaj më parë, teksa po qëndronte në malet mes Libanit dhe Sirisë, u kap dhe u ndalua nga forcat e sigurisë në kufi”.

Timmerman theksoi se po mbahej në qendrën e paraburgimit dhe torturës, të quajtur “Dega e Palestinës”, nën njësitë e sigurisë së regjimit sirian në Damask.

Ai njoftoi se është nga shteti amerikan Missouri dhe se është nisur nga SHBA-ja për “pelegrinazh”, në muajin mars ka shkuar në Evropë, ka ardhur në Zahle të Libanit në muajin maj dhe më pas ka shkuar në Siri.

Gjatë deklaratave të shtetasit amerikan, një ekip lokal i sigurisë erdhi në shtëpi dhe e mori atë me vete.

Zyrtarët e policisë në shtetin amerikan Missouri raportuan se kontakti i fundit me Timmerman ishte bërë më 2 qershor. Sipas autoriteteve, Timmerman, i zhdukur që nga 2 qershori, për herë të fundit është parë më 28 maj në Kishën Baptiste Ndërkombëtare në Budapest të Hungarisë.

Autoritetet policore të Budapestit shpallën Timmermanin të zhdukur më 26 gusht.

Exit mobile version