Mbi çfarë baze laike apo logjike neutrale, dita e diel është pushim zyrtar në shtetet tona shqiptare?
Mbi asnjë nga këto.
E diela është pushim mbi baza fetare, sepse është ditë kur kremtohet rikujtimi i ringjalljes së Krishtit, sipas besimit të krishterë. Dita e diel është dita kur të krishterët shkojnë në kishë për të marrë pjesë në meshën javore.
Shteti i sotëm laik e ka trashëguar këtë ditë pushimi pikërisht nga kjo e vërtetë fetare dhe historike edhe pse ai nuk i jep më kësaj dite këtë kuptim fetar, duke e shekullarizuar atë. Por pavarësisht këtij fakti, dita e diel vazhdon t’i shërbejë të krishterëve për qëllimin fillestar për të cilin është vendosur të bëhet pushim. Kështu që do apo nuk do, me qëllim ose jo, shteti laik modern në Evropë, edhe në trojet tona, i shërben besimit të krishterë me ditën e diel si ditë pushimi zyrtar.
Ditës së diel i është shtuar edhe dita e shtunë gjatë dekadave të fundit, dhe kjo ditë, duam apo nuk duam, me qëllim ose jo, i shërben hebrenjve, të cilët të shtunën e kanë ditën e tyre të shenjtë. Edhe pse këta janë shumë pak, por gjithsesi shpallja e së shtunës si ditë pushimi zyrtare i shërben më së miri edhe këtij komuniteti, sado i vogël qoftë.
Deri këtu për laicistët dhe islamofobët shqiptarë, nuk ka asgjë të keqe, sepse ngelemi brenda traditës dhe kulturës evropiane, pavarësisht premisave apo origjinës së tyre fetare të krishterë apo judaike.
Por, dhe ka një POR të madhe paradoksale, kur bëhet fjalë për myslimanët -qofshin këta edhe komuniteti më i madh autokton në vend, siç janë myslimanët shqiptarë- shkelet laiciteti, islamizohet shteti dhe bëhet gjëma dhe vihet alarmi, pse kërkohet një apo dy orë pushim për të falur namazin e xhuma të Premten, apo kur Komuna e Prishtinës ndryshon orarin e shkollës që t’i vijë në ndihmë nxënësve të çelin iftarin në shtëpi!
Kështu që gjatë gjithë vitit, për çdo të diel dhe të shtunë që ka viti, shteti dhe shkolla mbeten laikë, ama vetëm për Ramazan pse ndryshon pak orari vihet alarmi se shtetin do ta pushtojnë islamikët!
Dhe jo vetëm kaq, por është vënë alarmi se po detyrohen fëmijët nga prindërit që të agjërojnë me zor!
Pasha Zotin, këta njerëz po ta kishin ditur se rënia e komunizmit do të kishte sjellë te shqiptarët myslimanë këtë rigjallërim fetar, me këto përmasa, do të kishin preferuar të vazhdonin të ishin akoma nën diktaturën e kuqe, vetëm e vetëm myslimanët shqiptarë të mos e ushtronin fenë e tyre.
Hoxhë Justinian Topulli
