Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në institucionet arsimore të kësaj komune është shtyrë deri më 19 janar 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë për shkak të gjendjes aktuale të krijuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin, ndërsa në disa shkolla janë evidentuar probleme edhe me sigurimin e ngrohjes.
Drejtoria Komunale e Arsimit ka vlerësuar se, në këto rrethana, nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor. Vendimi, theksohet më tej, është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit arsimor.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje drejtuesve të institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit lidhur me këtë shtyrje.
Për çdo informatë shtesë ose ndryshim eventual, publiku do të informohet përmes kanaleve zyrtare të Komunës së Fushë Kosovës.
