Promovimi i aftësisë së turqve përballë paaftësisë sonë monumentale
Në kulmin e reshjeve, si dhe të përmbytjeve në çdo cep të Shqipërisë, qeverisja promovoi aftësinë e turqve për të eliminuar një prej skenave më të trishta në Shqipëri në kohë të ngjashme kur ishte fjala për objekte kulti: përmbytjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
Tashmë, pasi aty vunë dorë turqit, rrëzëllen gjithçka, edhe në kohë shirash të furrishëm e rrjedhimisht përmbytjesh.
Ja ç’shkroi ministri Gonxhe duke ilustruar pamjet e xhamisë, me përmbytje përreth, por me realitet krejtësisht tjetër në territorin e saj.
“Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika.
Pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet.
Ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Fondacionit TIKA, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti, ndërkohë që situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët tanë të DRTK Shkodër”.
Tani mbetet të kuptohet fabula e këtij postimi, mesazhi mes rreshtash, pasi është fjala për një punë të realizuar nga turqit e jo nga qeveria shqiptare, e cila më shumë se punët ka prioritet propogandën, pra vetëlavdërimin.
Në një lloj leximi, qeveria turpëron veten me këtë postim, pasi shpërfaq paaftësinë e saj për të qenë po aq produktive sa dhe turqit në formën dhe metodën e eliminimit të një përmbytjeje, pavarësisht se ku dhe pavarësisht përmasave.
Po ashtu, në një tjetër lloj nënleximi, qeveria sikur thotë se më adaptët për të na shpëtuar prej përmbytjeve të rregullta, janë pikërisht turqit, si me Xhaminë e Plumbit. /tesheshi.com/
