Ballina Artikuj Si e sollën tartarët Islamin në Poloni?

Si e sollën tartarët Islamin në Poloni?

A mosque in Gdańsk, Poland. (photo: altotemi / CC BY-SA 2.0)

Çfarë të vjen në mendje kur flitet për tartarët?

Menjëherë para syve të tu shfaqet imazhi i Xhamisë Kul Sharif, aroma e byrekëve “Otbotschmak” dhe “Manti” të gudulis hundën, të lind dëshira për të udhëtuar në Tatarstan, për të eksploruar rezervatin e lashtë tartar dhe për të vizituar një fshat autentik tartar. Megjithatë, duhet të theksojmë se është gabim të mendosh se vendi i vetëm ku jetojnë tartarët është Republika e Tatarstanit.

Historia tregon se populli tartar është shpërndarë në mbarë botën, duke e bërë rajonin e Vollgës, Siberinë, Kazakistanin, vendet e Azisë Qendrore, madje edhe Kinën dhe Australinë, një vatër për këtë grup etnik turk. Sot, duam të tregojmë për jetën e tartarëve në Poloni:

Në periudha të ndryshme, në Poloni kanë jetuar rreth 4000 deri në 5000 tartarë. Sot, në Poloni ka rreth 5000 polako-lituanezë me prejardhje tartare (si dhe 4000 në Lituani dhe 10,000 në Bjellorusi). Qendra më e madhe e tartarëve polakë është qyteti Bialystok, i cili ndodhet pranë kufirit bjellorus.

Komuniteti tartar është shumë aktiv edhe në Gdansk, ku është krijuar një shoqatë e tartarëve. Po ashtu, ata kanë mundur të vendosen edhe në Varshavë. Për këtë arsye, tartarët janë ata që sollën Islamin në këtë rajon.

Tartarët në Poloni… Nga erdhën?!

Thuhet se mbreti Jan III Sobieski ishte aq i kënaqur me shërbimin e komandantit të kalorësisë tartare, saqë i dha një sipërfaqe të madhe toke – aq sa mund të përshkonte me kalë brenda një dite. Kështu, tartarët u vendosën në Poloni, në rajonin lindor të saj – Podlasie. I ashtuquajturi “Rruga e Tatarëve” është një itinerar që lidh qytetet dhe fshatrat Bialystok, Sokółka, Bohoniki, Kruszyniany dhe Krynki, me një gjatësi totale prej 150 km.

Për herë të parë, tartarët u shfaqën në territorin polak në shekullin e XIV, kur u bashkuan me forcat ushtarake të Dukatit të Madh të Lituanisë dhe Mbretërisë së Polonisë, e më pas të Commonëealth-it Polako-Lituanez. Duka i Madh i Lituanisë, Vytautas, u dha tokë dhe strehim tartarëve si shenjë mirënjohjeje për besnikërinë dhe shërbimin e tyre të ndershëm gjatë luftës kundër Urdhrit Teutonik.

Ndër ata që iu përgjigjën ftesës së Vytautasit, shumica ishin refugjatë politikë nga Hordhia e Artë dhe Hanati i Krimesë. Aftësitë e tyre ushtarake gjetën menjëherë zbatim në Commonëealth-in Polako-Lituanez gjatë shekullit të XV, një periudhë e trazuar dhe sfiduese. Roli dhe besnikëria e tartarëve u dëshmuan qartë në Betejën e Grunvaldit më 1410.

Pas disa dekadash, tartarët arritën të fitonin një pozicion në shtresën fisnike dhe u shpërblyen me toka dhe stemën e fisnikërisë për shërbimin e tyre në ushtrinë polake. Jan III Sobieski u dhuroi tartarëve toka në Podlasie, duke e ndihmuar kështu të shmangte pasojat e rënda në fund të shekullit të XVII, kur fisnikëria polake filloi të vinte në dyshim të drejtën e tartarëve për të qenë pjesë e saj dhe ndaloi pagesat për ushtarët tartarë. Si pasojë, tartarët vendosën të zhvendosen pranë kufirit me Bjellorusinë dhe në vitin 1925 krijuan një qendër për kulturën islame – Bashkësinë Fetare Islame, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot në qytetin Bialystok.

Vlen të theksohet se që nga momenti i vendosjes së tyre në Poloni, tartarët gëzonin disa privilegje krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Për shembull, ata kishin liri fetare dhe mund të ndërtonin xhami, si dhe të kryenin ceremonitë mortore sipas rregullave islame në varrezat tartare, të cilat i rrethonin në mënyrën e tyre të veçantë. Kjo marrëdhënie e favorshme ndaj tyre ishte rezultat i mirënjohjes së familjes mbretërore për besnikërinë dhe shërbimin e tyre ushtarak.

Deri në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XX, tartarët ishin i vetmi popull mysliman që jetonte në territoret e Polonisë kristiane. Disa prej tyre ishin ushtarakë, të tjerë tregtarë dhe fermerë. Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, gjuha e tyre filloi të zbehej, por Islami mbeti gjithmonë themeli i jetës së tartarëve polakë, pavarësisht nga mjedisi apo situata politike në vend.

Dëshmia më e qartë për këtë janë dy fshatrat tartarë pranë kufirit bjellorus, ku u ndërtuan xhamitë më të vjetra tartare në Poloni. Njëri prej tyre është fshati Kruszyniany, i themeluar në vitin 1679, dhe tjetri është Bohoniki, i themeluar në vitin 1697. Pikërisht këto ishin tokat që Jan III Sobieski u dhuroi tartarëve.

Identiteti dhe tiparet tartare-polake

Nëse flasim për veçoritë dalluese të banorëve të Polonisë që flasin gjuhën tartare, studiuesit i identifikojnë tre tipare kryesore:

Së pari, për një kohë të gjatë, tartarët ishin i vetmi komunitet mysliman në Poloni, duke ruajtur në masë të madhe kulturën dhe fenë e tyre, falë Islamit.

Së dyti, ata flasin për fenomenin e “tartarizimit”. Me këtë term, studiuesit nënkuptojnë se tartarët kanë ruajtur një traditë të martesave brenda komunitetit të tyre. Përveç kësaj, ata kanë mbajtur të dallueshme tiparet e tyre fizike dhe pamjen karakteristike.

Së treti, karakteristika e fundit dhe një nga më të rëndësishmet është polonizimi i tyre. Duke jetuar në Poloni për 600 vjet, polonishtja u bë gjuha e tyre amtare. Ata u integruan në historinë polake dhe krijuan rrëfime ushtarake për pjesëmarrjen e tyre në ngjarjet më të rëndësishme të vendit. Sot, ata e identifikojnë veten si “tartarë polakë” ose “polakë me origjinë tartare”.

Sot, më shumë se gjysma e tartarëve polakë jetojnë në rajonin e Bialystok-ut, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në zona të ndryshme, si Tricity (Gdańsk – Gdynia – Sopot), Mazovia dhe madje edhe në perëndim të Polonisë (Gorzóë Wielkopolski). Vendet e vetme ku mund të shihet kultura tartare dhe vendbanimet e tyre janë dy fshatra të vegjël pranë kufirit me Bjellorusinë – Bohoniki dhe Kruszyniany. Megjithëse popullsia e tyre po zvogëlohet gradualisht, tartarët mblidhen këtu gjatë festave myslimane, si Bajrami i Madh dhe Kurban Bajrami.

Nga pesë xhamitë e hapura për adhurim në Poloni, dy ndodhen në lindje të vendit – në fshatrat Bohoniki dhe Kruszyniany. Xhamia më e vjetër është ajo në Kruszyniany. Nuk ka të dhëna të sakta mbi vitin e ndërtimit të saj, por dokumentet e para që e përmendin datojnë në fillim të shekullit XVIII. Ajo ka një formë drejtkëndore (10 × 13 m), me dy minare në ballë dhe një minare të vogël mbi çati. Çatia prej druri është e lyer me ngjyrë jeshile dhe brenda saj ndodhen dy dhoma për falje – një për burrat dhe tjetra për gratë. Xhamia është e hapur për vizitorët.

Xhamia në Bohoniki është më e vogël, por ruan elementet tradicionale të një xhamie. Në vend të dy minareve, ajo ka vetëm një minare të kurorëzuar me një kupolë në formë qepedhe një gjysmëhëne. Kjo xhami u ndërtua nga komuniteti tartar në vitin 1873, por u dëmtua rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u shndërrua nga trupat gjermane në një spital ushtarak. Pas luftës, komuniteti tartar arriti ta rikthejë ndërtesën në gjendjen e saj origjinale. Pranë saj ndodhet edhe një varrezë myslimane tartare, një nga të paktat në Poloni.

Burimi: dawa.center

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version