Ballina Artikuj Si është populli ashtu janë edhe sundimtarët

Si është populli ashtu janë edhe sundimtarët

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Njëherë, një harixhi u paraqit para Aliut, r.a., duke i thënë: “Përse Ebu Bekri dhe Omeri ishin ngadhënjimtarë të suksesshëm, ndërsa ti nuk je i tillë?”

Aliu, r.a., iu përgjigj: “Për arsye se Ebu Bekri dhe Omeri kanë qenë udhëheqës (halife) të njerëzve sikurse unë, ndërsa unë jam udhëheqës (halife) i njerëzve sikurse ju.”

Është e vërtetë që njerëzit i kritikojnë sundimtarët për prishjen dhe amoralitetin e tyre. Nëse sundimtarët janë ata që e importojnë alkoolin, natyrisht që ky në vete është mëkat, por ne jemi ata që e konsumojmë dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar që sundimtari ka dhënë urdhër që duhet të blihet alkooli.

Nëse sundimtarët i mbyllin sytë para shtëpive publike dhe bordeleve, e që poashtu është mëkat i madh, populli janë myshterinjtë dhe ata i vizitojnë këto vende dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar që ndonjë sundimtar ka dhënë urdhër me të cilin patjetër dhe pa asnjë kusht të vizitohen shtëpitë publike dhe bordelet.

Nëse në xhami nuk mbushet as safi i parë në sabah, kjo nuk është që sundimtari e ka ndaluar shkuarjen në xhami.

Nëse punët tona të ndërsjella dhe transaksionet nuk realizohen pa mito, kjo do të thotë që disa prej nesh janë në rolin e dhënësit e disa në rolin e marrësit të mitos.

Pra, liria është themel i virtytit dhe moralit. Nuk ka dëlirësi pa mundësi që të bëhet prostitucion, nuk ka drejtësi pa pasur mundësi që të bëhet zullum dhe padrejtësi, nuk ka amanet pa mundësi të vjedhjes dhe jobesnikërisë, nuk ka asketizëm pa mundësi të jetës luksoze.

Asketizmi i dhunshëm nuk është kurrfarë asketizmi, sikur që dhunshëm të shtyhet në bindje dhe dëgjim nuk do të thotë bindje, ngase jemi të lirë dhe kjo mjafon të zgjedhim çfarë dëshirojmë.

Sikur llojet e ndryshme të drogave mos t’i kishin myshterinjtë e vet nuk do të ishin edhe ata që i kontrabandojnë dhe i shesin, sikur mos të kishte alkoolist as nuk do të importohej, sikur prostitutat mos të kishin klientët që i vizitojnë do të qëndronin në shtëpitë e tyre.

Me këtë dua të them që nëse do të shikonim haptazi dhe me sinqeritet vetveten, do të shihnim që ne në realitet jemi versioni në miniaturë i sundimtarëve dhe udhëheqësve tanë të cilët i kritikojmë.

Kërkojmë lirinë e mendimit, por në secilin prej nesh qëndron sundimtari (tirani) i cili e sheh vetveten dhe dëgjon vetëm zërin e vet.

Problemi ynë është që jemi të edukuar që të kërkojmë të drejtat tona, por nuk kuptojmë që kundruall secilës të drejtë ekziston edhe obligimi.

Problemi ynë, i dashuri im, është që ne gjasojmë në pushtetet tona dhe në sundimtarët tanë, sepse siç është populli ashtu janë udhëheqësit dhe sundimtarët.

Ed’hem Sherkavi

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Exit mobile version