Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si fëmijë të llastuar!

Si fëmijë të llastuar!

Pas mbylljes së dyerve nga Spanja, paralajmërohet largimin nga NATO

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi së fundmi se Uashingtoni mund të rivlerësojë marrëdhënien e tij me NATO-n pas përfundimit të luftës me Iranin.

Rubio e quajti “shumë zhgënjyese” mungesën e mbështetjes nga aleatët gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme, duke vënë në shënjestër vendet që i kanë mohuar SHBA-së aksesin në bazat ushtarake për operacionet e tyre luftarake.

Në një intervistë për Al Jazeera, Rubio theksoi se Presidenti Trump do të rishqyrtojë të gjithë angazhimin amerikan në aleancë. Ai u shpreh se nëse NATO shërben vetëm që SHBA të mbrojë Evropën, por evropianët mohojnë të drejtat e bazave kur SHBA ka nevojë, atëherë kjo nuk është një marrëveshje e mirë.

“Është e vështirë të qëndrosh i angazhuar në të”- shtoi ai, duke reflektuar irritimin e administratës aktuale. Zemërimi i SHBA-së është fokusuar veçanërisht te Spanja, e cila mbylli hapësirën ajrore dhe bllokoi bazat për fluturimet amerikane drejt Iranit.

Po ashtu, kritikave nuk i ka shpëtuar as kryeministri britanik Keir Starmer, i cili fillimisht refuzoi kërkesën për përdorimin e bazave për sulme, duke lejuar më pas vetëm “veprime të kufizuara mbrojtëse”.

Ky bllokim ka ardhur si reagim ndaj mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe rritjes galopante të çmimeve të energjisë. Sipas Rubio-s, SHBA-të do të sigurohen që rruga ujore të hapet, qoftë përmes bindjes së Iranit për të zbatuar ligjin ndërkombëtar, qoftë përmes një koalicioni forcash.

Ai përsëriti qëndrimin se pa Shtetet e Bashkuara nuk ka NATO, duke e cilësuar aleancën aktualisht si një “rrugë me një kah” që duhet rregulluar me patjetër sapo të pushojnë armët në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, kjo krizë diplomatike nxjerr në pah një sjellje kontradiktore dhe thuajse foshnjarake të administratës Trump. Presidenti amerikan, i cili mburret shpesh me vendimmarrjen e tij të njëanshme dhe injorimin e diplomacisë tradicionale, nis konflikte dhe luftëra pa u konsultuar me asnjë nga partnerët e tij strategjikë.

Ai vepron sikur bota është një pronë private ku rregullat i vendos vetë, duke harruar se aleancat bazohen në konsensus dhe respekt reciprok.

Është ironike dhe deri diku absurde se si Trump, pasi injoron paralajmërimet e aleatëve dhe ndërmerr hapa të rrezikshëm që destabilizojnë ekonominë globale, kthehet dhe urdhëron vendet e NATO-s t’i bashkohen verbërisht aventurave të tij ushtarake.

Ai kërkon besnikëri absolute, pavarësisht pasojave shkatërrimtare që këto konflikte kanë për sigurinë dhe xhepat e qytetarëve evropianë. Kur aleatët guxojnë të vendosin sovranitetin e tyre dhe interesat e qytetarëve mbi dëshirat e Uashingtonit, Trump reagon si një fëmijë i llastuar që i kanë thyer lodrën.

Në vend të dialogut, ai nis menjëherë një fushatë fyerjesh dhe poshterimesh publike, duke i quajtur partnerët historikë “frikacakë” dhe aleancën më të fuqishme në histori si një “tigër prej letre”’.

Kërcënimet e vazhdueshme për braktisje dhe kërkesat ultimative për rritje të shpenzimeve, tregojnë një mungesë të plotë të pjekurisë shtetformuese.

Në vend që të sillet si lideri i botës së lirë, Uashingtoni i sotëm po sillet si një partner kapriçoz, që ose kërkon të jetë qendra e vëmendjes dhe të diktojë çdo lëvizje, ose kërcënon se do të “marrë topin e do të ikë nga fusha” nëse gjërat nuk shkojnë sipas tekave të tij. /tesheshi

Exit mobile version