Ballina Arritje Si teknologjia po e vret aftësinë krijuese tek njerëzit

Si teknologjia po e vret aftësinë krijuese tek njerëzit

Shpërqendrimi i vazhdueshëm nga mediat sociale, mund të pengojë mendjet tona që të zhyten në një ndjenjë më të thellë dhe më të plotë të mërzisë. Dhe sipas një studimi të ri, ky është një problem serioz, duke pasur parasysh se mërzia e madhe mund të jetë baza pjellore për inovacion dhe kreativitet tek njeriu.

Niveli “i thellë” i mërzisë për të cilin po flasim dallon nga niveli fillestar dhe sipërfaqësor i mërzisë që përjetojmë kur presim në një stacion autobusi apo nisjen e një programi televiziv. Megjithatë, rënia fillestare në gjendjen e monotonisë mund të zhduket menjëherë me një lundrim në rrjetet sociale si Snapchat, Twitter, Instagram, TikTok ose Facebook.

Kjo do të thotë se nivelet tona të mërzisë nuk përparojnë kurrë drejt një zone të kreativitetit.

“Mërzia e thellë mund të tingëllojë si një koncept jashtëzakonisht negativ. Në fakt ajo mund të jetë jashtëzakonisht pozitive, në rast se njerëzve u jepet mundësia të mendojnë dhe zhvillojnë ide të reja”- thotë Timoti Hill, një sociolog në Universitetin Bath në Britaninë e Madhe.

“Ne duhet ta pranojmë se pandemia ishte një përvojë tragjike, shkatërruese dhe konsumuese për miliona njerëz. Por ne të gjithë jemi të njohur me historitë e atyre që gjatë izolimit gjetën hobi, karriera ose drejtime të reja në jetë”- shton ai. Hill dhe kolegët e tij analizuan jetën e 15 njerëzve, të cilëve ose i ishte dhënë pushim me pagesë ose iu kërkua të punonin nga shtëpia gjatë pandemisë së koronavirusit.

Moshat, profesionet dhe niveli i arsimit ndryshonin midis pjesëmarrësve, të cilët ishin të gjithë nga Anglia ose Republika e Irlandës. Me pjesëmarrësit në studim u zhvilluan intervista të strukturuara, në të cilat ata shpjeguan se si e kalonin kohën gjatë pandemisë, së bashku me llojet e ndjenjave që përjetuan.

Ndërsa mërzia shfaqej vazhdimisht, masa e marrë kundër saj ishte lundrimi në mediat sociale. Njerëzit e përfshirë në studim, të cilët përjetuan mërzinë më të thellë, zbuluan se ajo i shkaktoi ndjenja shqetësimi dhe zbrazëtie. Megjithatë, pati edhe një shtytje të ripërtërirë për ta mbushur atë zbrazëti: pasionet si zdrukthtaria, furrtaria dhe çiklizmi u zbuluan ose u ri–zbuluan gjatë pandemisë.

Studiuesit janë të prirur të theksojnë se shumë njerëz nuk kanë luksin të qëndrojnë ulur dhe të mos bëjnë asgjë për periudha të gjata kohore, dhe se mediat sociale mund të jenë jetike në ruajtjen e marrëdhënieve me familjen dhe miqtë. Megjithatë, ata thonë se nuk duhet anashkaluar fakti se si media sociale ndikon tek të menduarit tonë.

“Problemi që vumë re, ishte se mediat sociale mund ta lehtësojnë mërzinë sipërfaqësore. Por shpërqendrimi që ato japin thith shumë nga koha dhe energjia e njerëzve, dhe mund t’i pengojë ata të përparojnë në një gjendje mërzie të thellë, ku mund të zbulojnë pasione të reja”- thotë Hill.

Ideja e mërzisë sipërfaqësore dhe asaj të thellë daton pothuajse 100 vjet më parë në një seri leksionesh të filozofit gjerman Martin Hajdeger. Ai thoshte se mërzia është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës, që ka nevojë të kultivohet. Është interesant fakti që gjatë dekadave, ne kemi krijuar gjithnjë e më shumë mënyra për ta shmangur mërzinë: tani mendjet tona mund të shpërqendrohen gjatë gjithë kohës që jemi zgjuar, falë mediave sociale dhe gjithçkaje tjetër të ofruar nga telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterat.

Nëse nuk dëshironi ju nuk keni pse të ndaleni dhe të përhumbeni në mendime të thella. Ndërkaq studime të tjera kanë sugjeruar gjithashtu se mërzia dhe reflektimi është baza thelbësore e kreativitetit, prandaj mund të jetë kjo arsyeja pse kaq shumë ide të vlefshme na vijnë pikërisht gjatë kohës që jemi në dush. /bota.al

Exit mobile version