Ballina Lajmet Kosovë Sigurimi i Telekomit detyrohet të përdorë armët për ta larguar nga zyra...

Sigurimi i Telekomit detyrohet të përdorë armët për ta larguar nga zyra ish-anëtarin e Bordit

Fidel Krasniqi, më 12 dhjetor, hoqi dorë nga pozita e anëtarit në Bordin e drejtorëve të Telekomit, për t’i hyrë garës për kryeshef të ekzekutivit, në të njëjtën kompani.

Por, ditë më vonë, Bordi i drejtorëve të Telekomit vendosi si ushtrues detyre të kryeshefit të Telekomit Bedri Istrefin, dhe konkursi u anulua, e rrjedhimisht Krasniqi mbeti jashtë kompanisë, raporton KTV.

Të premten e kaluar, Krasniqi ka shkuar në zyrat e Telekomit duke kërkuar të vihet në pozitën e mëparshme të Bedri Istrefit, atë të drejtorit teknik, pozitë të cilën aktualisht është duke e ushtruar Faton Jusufi.

“Në ora 9:00 të së premtes, më datë 16 shkurt, Fidel Krasniqi ka ardhur në zyrat e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit dhe është fjalosur me Bedri Istrefin. Ai ka thënë se është mashtruar nga ta dhe se e kanë detyruar të japë dorëheqje nga Bordi për t’u zgjedhur kryeshef. ‘Unë dua që nga sot të më emëroni drejtor teknik dhe nuk dal prej zyre më’, u ka thënë Krasniqi atyre ”, kanë thënë për KTV-në burime të afërta me ngjarjen.

Krasniqi ka qëndruar në këtë zyrë deri në ora 14:00.

“Në ora 14:00 ka hyrë sigurimi për ta nxjerrë me zor nga zyra. Fidel Krasniqi i ka sulmuar ata. E, pas kësaj, njëri nga anëtarët e sigurimit ka gjuajtur me revole në ajër, brenda në zyrë”, ka rrëfyer burimi për KTV-në.

Policia e Kosovës ka thënë për KTV-në se rasti nuk është raportuar te ta, të paktën nuk është regjistruar në raportin 24-orësh të datës 16 shkurt.

E, në anën tjetër, Krasniqi, i cili ishte anëtarësuar në partinë e kryeministrit Haradinaj, AAK në gushtin e 2013-s, ka mohuar përleshjet me zyrtarët brenda Telekomit.

Në një bisedë me KTV-në, Krasniqi ka pranuar se ishte në Telekom të premten e kaluar për t’i dorëzuar disa dokumente dhe thotë se nuk i kujtohet mirë, edhe mund të ketë pasur mospajtime me dikë, por jo përleshje.

Madje, Krasniqi ka mohuar të ketë konkurruar për kryeshef të Telekomit. Arsyet e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të Bordit të Telekomit, sipas tij, kanë qenë të natyrës personale.

Por, udhëheqësja e Bordit të drejtorëve të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, i ka konfirmuar KTV-së, se Fidel Krasniqi ka qenë njëri nga kandidatët që kanë konkurruar në dhjetor për pozitën e kryeshefit të kompanisë.

Kohavision ka provuar që ta marrë qëndrimin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit për incidentin e ndodhur të premten e 16 shkurtit, por as Bedri Istrefi, e as Zyra për Informim nuk janë deklaruar për rastin.

Exit mobile version