Ballina Artikuj Sikur të mbjelleshin lule aq sa prodhohen plumba!

Sikur të mbjelleshin lule aq sa prodhohen plumba!

Dr. Rijad Imeri

Sa herë që shoh se vendet e botës konkurrojnë me një konkurrencë të egër se kush po posedon armët më moderne…
dhe se fabrikat e armëve kanë përfitime marramendëse…
dhe armët e shkatërrimit në masë dhe armët bërthamore dita ditës shtohen…
dhe armët kimike-atmosferike dita ditës avancohen…
dhe armët çdo ditë u shiten e dhurohen grupeve kriminale…
dhe pjesa më e madhe e buxhetit të shteteve ndahet për ushtri e armatim…
Atëherë mendoj e them se paqja globale në tokë është e pamundur të arrihet përkundrazi çdo ditë e më shumë ajo rrezikohet, dhe kjo ishte frika e engjëjve kur thanë:
“Ata (engjëjt) thanë: “A do të vësh (o Zot) në të (tokë) atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet”(Kur’an 2:30)
Dhe vazhdon toka e qielli të habiten çdo ditë nga krimet dhe veprat kundërthënëse të njeriut, derisa të plotësohet urtësia hyjnore “Ai (Allahu) tha: “Unë di atë që ju nuk dini”!” (Kur’an 2:30)
Por sikur të mbjelleshin lule aq sa prodhohen plumba, nuk do të kishte ndotje ambienti..
sikur të mbjelleshin lule aq sa prodhohen plumba, nuk do të kundërmonte toka, por do ta mbushte universin me aromë.
Sikur të mbjelleshin lule aq sa prodhohen plumb nuk do të kishte aq shumë sëmundje e të sëmurë…
Sikur të mbjelleshin pemë e perime aq sa prodhohen plumba, nuk do të gjendej skamnor mbi sipërfaqen e tokës!
Por ne dita ditës e helmojmë vetën dhe tokën tonë pastaj çirremi duke thënë: Zoti është i padrejtë!!
Dhe në fund vazhdojmë të mbjellim plumba e shpresojmë të na dalin lule!

Dr. Rijad Imeri

Exit mobile version