Pushtuesit mbytin me gaz lotsjellës namazin e agimit dhe ndalojnë hyrjen në xhami
Për të dytën ditë radhazi, makineria shtypëse e policisë izraelite ka mbytur me gaz lotsjellës besimtarët paqësorë para Xhamisë Al-Aksa. Ky akt brutal ndodhi gjatë namazit të fundit të xhumasë së Ramazanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të dhunës në Jerusalemin e pushtuar.
Ndërsa autoritetet izraelite, tentojnë të justifikojnë ndërhyrjen me pretendime për “provokime”, arrestimi i 16 palestinezëve tregon qartë strategjinë e tyre të frikësimit. Për herë të parë që nga viti 1967, regjimi sionist ka marrë vendimin skandaloz për të mbyllur plotësisht portat e Al-Aksasë për namazin e Bajramit.
Me pretekstin e “sigurisë” për shkak të luftës kundër Iranit, Izraeli po përdor forcën ushtarake për të mohuar të drejtën elementare të adhurimit. Ky veprim shihet nga banorët si një përpjekje e hapur për të çrrënjosur praninë islame nga al-Haram al-Sharif dhe për të forcuar kontrollin mbi Malit e Tempullit.
Hazen Bulbul, një banor i vjetër i qytetit, e përshkroi këtë si “ditën më të trishtueshme” në jetën e tij. Sipas tij, mbyllja e xhamisë nuk është thjesht një masë sigurie, por një precedent i rrezikshëm që synon tjetërsimin e plotë të qytetit të shenjtë nën thundrën e pushtimit.
The Guardian raporton se ky sulm kundër lirisë fetare ka shkaktuar zemërim në mbarë botën islame. Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik e kanë cilësuar mbylljen si një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Në një deklaratë të ashpër, ata theksuan se Izraeli, si fuqi pushtuese, mban përgjegjësi të plotë për pasojat e këtyre provokimeve që kërcënojnë të ndezin një zjarr të ri në mbarë rajonin.
Ndërkohë, në Gazën e rrënuar nga bombardimet e pamëshirshme sioniste, Bajrami u prit në kushtet e një katastrofe njerëzore. Megjithëse bombardimet vazhdojnë, qindra mijëra palestinezë përpiqen të ruajnë dinjitetin e tyre mes urisë dhe humbjes.
“Gëzimi i Bajramit është i vrarë!”- u shpreh Sadeeqa Omar, e zhvendosur në Deir al-Balah. Megjithatë, edhe nën hijen e luftës dhe mbylljes së kalimeve kufitare, aroma e ëmbëlsirave tradicionale maamoul po përhapet nga furrat e improvizuara nëpër kampe.
Ky festim në heshtje është akti më i lartë i qëndresës ndaj një strategjie që synon jo vetëm asgjësimin fizik, por edhe shpirtëror të popullit palestinez. Për besimtarët në Jerusalem dhe Gaza, ky Bajram mbetet një dëshmi e dhimbshme e shtypjes sioniste, por edhe e vullnetit të pathyeshëm për të mbrojtur shenjtërinë e tokës së tyre. /tesheshi
