Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia rezulton të jetë i vetmi shtet evropian që blen armë nga Kina.
Të dhënat për periudhën 2020–2024 tregojnë se Kina është furnizuesi kryesor i armatimit për Serbinë, duke zënë 57% të totalit të importeve. Pas saj renditet Rusia me 20%, ndërsa Franca kontribuon me 7.7%, ndërsa pjesa tjetër prej 15.3% vjen nga vende të tjera.
Sipas grafikëve të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, 77% e armëve të importuara nga Serbia vijnë nga Kina dhe Rusia, dy shtete që shpesh konsiderohen si rivale gjeopolitike të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
SIPRI konsiderohet një nga institucionet më të besueshme për monitorimin e tregtisë globale të armëve, dhe të dhënat e tij përdoren gjerësisht nga qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe mediat në mbarë botën.
