Të paktën 5 civilë janë vrarë, përfshirë edhe dy fëmijë, gjatë sulmeve ajrore ruse në zonën e deeskalimit në Idlib të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Idlib, Mustafa Haj Yusuf, tha se tre civilë, përfshirë edhe dy fëmijë, u vranë në qytezën Qafrnabil, ndërsa nga një civil u vranë në fshatrat Fattira dhe Has.
Në ndërkohë, forcat e regjimit të Assad-it dhe avionët luftarakë rusë kanë sulmuar radhët e para të opozitës dhe zonat e banuara që janë pjesë e zonës së deeskalimit.
Në vitin 2018, Turqia dhe Rusia u dakorduan që ta shndërrojnë Idlibin në një zonë të de-eskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.
Zona e deeskalimit aktualisht është e banuar nga 4 milionë civilë, përfshirë edhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre nëpër vite në shtetin e shkatërruar nga lufta.
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.
