Banorët e Rakës dhe Deir Ezzorit shpresojnë te normalizimi dhe fundi i diskriminimit
Pas tërheqjes së Forcave Demokratike Siriane (SDF) nga rajonet e Sirisë lindore, popullsia arabe etnike, në Raka dhe Deir Ezzor ka nisur procesin e pajtimit me qeverinë e re qendrore.
Pas vitesh nën pushtimin kurd, banorët lokalë raportojnë një ndjesi lehtësimi, duke shpresuar në përfundimin e asaj që e konsiderojnë si politikë diskriminuese. Në qendrat e posaçme të pajtimit në Raka, mijëra ish-luftëtarë arabë që shërbyen në radhët e SDF-së po i nënshtrohen procedurave të verifikimit.
Ky proces përfshin marrjen në pyetje dhe regjistrimin biometrik, hapa këta të domosdoshëm për t’u rikthyer në jetën civile dhe për të kërkuar punë. Sipas dëshmive nga terreni, pajtimi shihet si një rrugë drejt normalizimit pas rënies së kontrollit të milicive kurde më 18 janar.
Shumë banorë, si 19-vjeçarja e identifikuar si Fatima, tregojnë se i ishin bashkuar milicisë kurde kryesisht për arsye ekonomike. “Prania kurde ishte një parantezë që dihej se do të merrte fund”- deklaroi ajo, duke kujtuar se si rregullat strikte të SDF-së ndalonin edhe martesën e rekruteve femra, duke çuar shpesh në burgosjen e tyre.
Pavarësisht pretendimeve të SDF-së për një sistem të bazuar në “konfederalizmin demokratik” dhe barazinë gjinore, në praktikë, popullsia arabe që përbën rreth 70 për qind të rajonit, pretendon se është trajtuar si qytetare e klasit të dytë.
Banorët e Deir Ezzor-it akuzojnë administratën e mëparshme për shfrytëzim të burimeve, duke pretenduar se nafta lokale transportohej për të zhvilluar kantonet veriore kurde, ndërsa infrastruktura në zonat arabe mbeti e shkatërruar.
Sulejmani, një mekanik vendas, pohon se milicitë kurde nuk investuan në spitale apo rrugë. Madje, ai i akuzon ata për çmontimin e makinerive të fabrikave përpara tërheqjes. Gjithashtu, raportohet se kontrollet e rrepta në pikat e kontrollit, ku militantët kurdë kontrollonin telefonat për materiale pro-revolucionare, kishin krijuar një klimë tensioni etnik.
Tërheqja e kurdëve erdhi pas humbjes ushtarake ndaj ushtrisë qendrale dhe rebelimit të brendshëm të mijëra luftëtarëve arabë që ishin pjesë e SDF-së. Me vendosjen e autoritetit të ri në Damask dhe formimin e qeverisë pas rënies së regjimit të Asadit në dhjetor 2024, rajoni po përpiqet të integrohet me pjesën tjetër të Sirisë.
Pesë vende kanë ofruar tashmë trupa për forcën ndërkombëtare të stabilizimit, ndërsa fondet prej 17 miliardë dollarësh për rindërtimin, pritet të fokusohen në zonat më të dëmtuara. /teshesh
