Në kohën e dërgimit të Profetit Muhamed (a.s) njerëzit ishin të shpërndarë në të gjithë botën, veçanërisht në tre kontinentet kryesore: Azi, Europë dhe Afrikë, dhe ishin nga racë e ndryshme. Arabët ishin në Gadishullin Arabik, Irak dhe Sham; Persët në tokat e Iranit; Tatarët dhe Turqit në tokat përtej lumit (Transoksiana) dhe Azinë Qendrore; indianët në Gadishullin Indian.
Raca e verdhë jetonte në Kinë, Japoni dhe juglindje të Azisë; romakët (Bizantët) në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), Sham, Egjipt dhe veriu i Afrikës; Anglo-Saksonët në Angli; Frengët në Francë, Holandë dhe Gjermani; Gotët në Spanjë dhe Itali; Sudani dhe Habeshe (Abisini) në vendet e tyre të njohura sot në Afrikë.
Fuqi të mëdha botërore, asokohe ishin Persët dhe Romakët (Bizantët), të cilët kontrollonin hapësira të mëdha toke dhe sundonin mbi popuj të shumtë. Persët nuk ishin në fenë e vërtetë, por ishin paganë që adhuronin zjarret. Romakët ishin të krishterë, por nuk i kishin ruajtur mësimet e dërguara nga Isa (a.s), sepse i kishin ndryshuar ato. Për këtë arsye, asnjëra nga këto dy fuqi të mëdha nuk mund të udhëhiqte njerëzimin drejt monoteizmit, drejtësisë, virtytit dhe së mirës.
Popujt e tjerë në Kinë, Japoni, Indi dhe Tibet besonin në Budizëm, një fe pagane që adhuronte shumë idhuj dhe ndërtonte tempuj për ta, dhe besonin në rilindjen e shpirtit.
Sa i përket popujve të Evropës, ata ishin barbarë që adhuronin idhuj dhe respektonin fuqitë e natyrës. Në këtë botë jetonin gjithashtu pakica hebreje të shpërndara mes Sham-it, Irakut dhe Hixhaz-it, të cilët kishin devijuar mësimet e Musait (a.s). Ata shtuan opinione nga librat e rabinëve dhe i atribuonin feve, duke e bërë Allahun, një Zot të veçantë kombëtar për hebrenjtë. Ata shpikën histori për profetët e tyre që i njollosnin reputacionin e tyre, lejuan veprime të padrejta ndaj të tjerëve si kamatën dhe mashtrimin, dhe penguan popullin të përhapte fenë e tyre me qëllim për të ruajtur, sipas pretendimeve të tyre, nderin e përkatësisë tek populli i zgjedhur i Allahut. Mësimet e Musait (a.s), para se të devijoheshin nga hebrenjtë, nuk pranonin këtë frymë raciste dhe nuk njihnin relativitetin e moralit në marrëdhëniet midis njerëzve.
Nga ky pasqyrim i shkurtër mund të nxjerrim përfundimin se bota atëherë kishte nevojë për një mesazh të ri fetar që të rikthente pastërtinë e monoteizmit, vlerën e moralit dhe të udhëhiqte njeriun drejt së vërtetës, së mirës dhe drejtësisë, pasi politeizmi, padrejtësia dhe e keqja kishin mbizotëruar për kohë të gjata dhe njerëzit ishin larguar nga mësimet e profetëve.
Allahu i Lartësuar caktoi që detyra e mbajtjes së mesazhit të fundit, të cilin e dërgoi përmes të Dërguarit të Tij Muhamed (a.s), t’i besohej arabëve të Gadishullit Arabik. Ata ishin të dobët dhe të shtypur, Allahu i forcoi; të varfër dhe të skllavëruar, Allahu i pasuroi; fise të shpërndara, Allahu i bashkoi; dhe të harruar, Allahu i bëri të njohur për botën. Ata morën mesazhin e Islamit dhe e përhapën tek kombet e tjera, dhe shumë nga popujt e botës u përgjigjën. Ata ndihmuan në përhapjen e ftesës, deri sa Islami arriti në Persi, tokat e Turqve, Indi, dhe skajet e Kinës në lindje; dhe në vendet e sunduara nga Romakët (Bizantët) në Sham dhe veri të Afrikës; madje edhe në Andalusi, jug të Francës dhe Itali. Në këtë mënyrë, drita e Islamit përshkroi shumicën e botës dhe goditi fuqitë e mëdha, duke shkatërruar Persinë dhe dobësuar Romën në shekullin e parë hixhri.
Autor: Ekrem Dija el Umeri
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
