Përgjimet e paligjshme të qeverisë ndaj opozitës dhe shumë gazetarëve janë mundësuar nga dy kompani izraelite…
Një vendim i fundit i gjykatës dhe pretendime të reja tronditëse në lidhje me rastin e softuerit “Predator” po ndezin interesat politike përpara një debati parlamentar vendimtar të kërkuar nga PASOK-u të premten e ardhshme.
Greqia po hyn në një javë të ngarkuar, ku mbikëqyrja e paligjshme dhe cenimi i sundimit të ligjit janë kthyer në kryefjalë, ndërsa presioni mbi qeverinë po rritet pas dënimeve të para ndaj drejtuesve të kompanive të përfshira.
Në qendër të kësaj stuhie politike, qëndrojnë kompanitë e sigurisë kibernetike me lidhje të forta izraelite. Kohët e fundit, një gjykatë në Athinë shpalli fajtorë katër persona, përfshirë biznesmenin izraelit Tal Dilian, themelues i konsorciumit Intellexa, i cili tregtoi softuerin Predator në Greqi.
Dilian, një ish-oficer i inteligjencës izraelite, e kishte zhvendosur bazën e tij nga Qiproja në Greqi, duke krijuar një rrjet kompanish që ofronin teknologji spiunimi të nivelit ushtarak për qëllime politike.
Gjyqi nxori në dritë faktin se “Predator” nuk ishte thjesht një mjet për luftimin e krimit, por një sistem që u ishte shitur “ekskluzivisht qeverive dhe autoriteteve të sigurisë”. Ky fakt, e ka rrëzuar narrativën fillestare të qeverisë greke, e cila për muaj të tërë pretendonte se çështja kishte të bënte vetëm me aktorë privatë dhe nuk kishte asnjë lidhje me strukturat shtetërore.
Skandali grek, nuk mund të shihet i ndarë nga konteksti global i softuerit “Pegasus”, i krijuar nga kompania tjetër izraelite NSO Group. Ndërsa Pegasus njihet për teknologjinë “zero-click” (infektim pa pasur nevojë që përdoruesi të klikojë asgjë), “Predator” kërkon një ndërveprim të vogël, si klikimi mbi një link të rremë.
Megjithatë, të dy programet kanë të njëjtin qëllim: kontrollin e plotë mbi pajisjen e shënjestruar, duke u dhënë qasje të pakufizuar në kamera, mikrofona, mesazhet e enkriptuara dhe vendndodhjen e viktimës.
Lidhja mes këtyre dy teknologjive është e ngushtë. Intellexa u krijua enkas për të rivalizuar NSO Group, duke përdorur ekspertizën e ish-specialistëve të inteligjencës izraelite për të ndërtuar një “perandori mbikëqyrjeje” në zemër të Evropës.
Përdorimi i tyre kundër gazetarëve investigativë dhe politikanëve të lartë grekë, ka ngritur alarmin në Bruksel, ku komisioni PEGA i Parlamentit Evropian e ka cilësuar këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.
Në prapaskenë, atmosfera brenda kabinetit qeveritar në Athinë po ndryshon me shpejtësi. Sipas raportimeve nga mediat prestigjioze greke si To Vima, disa ministra janë të shqetësuar se deri ku mund të shkojnë hetimet e mëtejshme penale, të cilat tani po synojnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të zyrtarëve shtetërorë.
Kjo pasiguri ka bërë që brenda partisë në pushtet të qarkullojë me zë të lartë ideja e zgjedhjeve të parakohshme si një mjet për të “pastruar” skenën politike, përpara se dëshmitë e reja të bëhen publike.
Ndërsa PASOK po përgatitet për atë që e quan një “moment përcaktues” në parlament, të paktën 5 persona që u vunë në shënjestër nga “Predator” pritet të ngrenë padi të reja.
Me dënimin e parë të Tal Dilian dhe bashkëpunëtorëve të tij me 8 vite burg, po përshpejtohet rruga ligjore, duke i detyruar institucionet greke të përballen me pasojat e një teknologjie që u përdor për të minuar privatësinë e kundërshtarëve politikë. /tesheshi
