Transmetuesi publik i Sllovenisë, Radiotelevizioni i Sllovenisë (RTV), ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision përderisa Izraeli mbetet në listën e pjesëmarrësve.
Pas vendimit të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për ta mbajtur Izraelin në Festivalin e Këngës në Eurovision, RTV e Sllovenisë, e cila ishte ndër vendet që vendosën të tërhiqeshin nga konkursi, bëri të ditur në një deklaratë me shkrim për Anadolu se ata janë të vendosur në qëndrimin e tyre kundër Izraelit.
Deklarata thotë se RTV është e përkushtuar ndaj standardeve etike. “Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj vlerave të paqes, respektit dhe barazisë midis kombeve. Ne besojmë se këto duhet të pranohen në të gjitha projektet e EBU-së”, thuhet në deklaratë.
“Sllovenia nuk do të marrë pjesë në Eurovision për sa kohë që Izraeli është midis vendeve pjesëmarrëse”, thuhet më tej në deklaratë.
– 4 vende nuk do të marrin pjesë në Eurovision
Kryetarja e Bordit të RTV-së, Natalija Gorscak tha dje se EBU nuk e kishte miratuar pjesëmarrjen e Rusisë, por tani nuk guxon të bëjë të njëjtën gjë për Izraelin.
Gorscak tha se më shumë se 200 gazetarë u vranë në Gaza dhe se gazetarët ende nuk mund të hyjnë në rajon. “Pamë që performanca e Izraelit në konkursin e vitit të kaluar ishte politike. Ne po luftojmë që politika të mos përfshihet në Eurovision. Mesazhi ynë është i qartë: Nëse Izraeli është i përfshirë në vrasjen e më shumë se 20.000 fëmijëve në Gaza, ne nuk jemi”, tha ajo.
Holanda, Spanja dhe Irlanda njoftuan gjithashtu se do të tërhiqeshin nga Eurovisioni për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në këtë konkurs.
