Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Somali, 73 të vdekur nga një sulm me bombë

Somali, 73 të vdekur nga një sulm me bombë

Të paktën 73 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmit me bombë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, në mesin e të cilëve edhe dy shtetas turq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, autobomba ka shpërthyer në afërsi të qendrës doganore në kryeqytet, përderisa kalonte një autobus me studentë universitar.

Mjeku i Spitalit “Medine”, Muhammed Yusuf, tregoi se në spital janë sjellë 73 kufoma të njerëzve që kanë humbur jetën në sulm.

Kryetari i Komunës Mogadishu, Omar Mahmud, tha se shumica e të vdekurve në sulm janë studentë si dhe nxënës që shkonin në shkolla.

Zëdhënësi i qeverisë së Somalisë, Ismail Muhtar, në deklaratën për agjencinë Associated Press, tregoi se shumë persona janë dërguar në spital dhe shprehu shqetësim për rritjen e numrit të të vdekurve.

Nga ana tjetër në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas turq.

Gjithashtu, përreth vendit ku ndodhi sulmi, në shumë biznese janë shkaktuar dëme serioze.

Exit mobile version