Ballina Lajmet Kosovë Sorensen: Dialogu vazhdon me shpresën që 2026-ta të na japë atë që...

Sorensen: Dialogu vazhdon me shpresën që 2026-ta të na japë atë që nuk na e dha viti i shkuar

Pas takimeve të zhvilluara me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, është deklaruar para mediave, duke folur për ecurinë e dialogut dhe pritshmëritë për vitin 2026.

Sorensen ka theksuar se BE vazhdon të punojë për çështjet e dialogut “me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”.

Ai ka shtuar se palët duhet të ulen dhe të bisedojnë dhe se një takim do të thirret kur të jetë koha e duhur.

“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave,” tha Sorensen.

Ai shtoi se qëllimi kryesor është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë.

“Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë, duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar vendet vitin e kaluar dhe ka theksuar se do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara,” deklaroi ai.

Sorensen po ashtu shprehu pritshmëri të lartë për formimin e institucioneve në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

Exit mobile version