Me 288 vdekje të reja në 24 orët e fundit në Spanjë është rritur në 23.190 numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë së Spanjës ka bërë të ditur shifrat lidhur me rastet dhe vdekjet nga COVID-19 në vend, ku ajo fillimisht ka njoftuar se vdekjet në 24 orët e fundit janë shifra më e ulët e vdekjeve ditore që nga 20 marsi kur u shënuan 235 vdekje.
Me 288 vdekje të reja në 24 orët e fundit në Spanjë numri i vdekjeve është rritur në 23.190 ndërsa me 1.729 raste të reja është rritur në 225.488 numri i përgjithshëm i rasteve.
Në 24 orët e fundit nga virusi janë shëruar 3.024 persona duke e rritur në gjithsej 98.732 numrin e të shëruarve. Numri i të shëruarve ditorë për tre ditë me radhë ka kaluar numrin e rasteve të reja në Spanjë dhe kjo është paraqitur si detaji më i rëndësishëm i ditës në vend.
– “Të dhënat tregojnë se virusi mund të kontrollohet”
Ndërkohë, Fernando Simon, drejtori i Qendrës së shërbimeve emergjente shëndetësore dhe të koordinimit paralajmërues të Ministrisë së Shëndetësisë në një konferencë për media tha se “Të dhënat tregojnë se virusi mund të kontrollohet. Në muajt e ardhshëm do të ketë normalizime të reja që të garantojmë ulje të mjaftueshme të rrezikut. Këtë mëngjes ne i dërguam ministrit të Shëndetësisë dhe kryeministrit një raport me rekomandime për të filluar procesin e tranzicionit gradual”.
Në fazën e mëpasshme duhet të sigurohet që sistemi shëndetësor të mund t’i përgjigjet një vale të mundshme të re të epidemisë, tha Simon duke vënë theksin se posedojnë mekanizmin që mund të ndjekë këtë proces por se është e rëndësishme që qytetarët të vazhdojnë me të njëjtin seriozitet masat e zbatuara kundër COVID-19.
– Që nga 2 maji mund të zhvillohet sport dhe ecje individuale në rrugë
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez këtë mëngjes zhvilloi një mbledhje nëpërmjet video-konferencës me krerët e 17 administratave autonome në Spanjë. Ai theksoi se procesi i normalizimit do të zhvillohet nga qeveria qendrore dhe se do të jetë “gradual dhe asimetrik ky proces në të cilin duhet të veprohet me kujdes”.
Ai tha se në kuadër të normalizimit gradual që nga 2 maji planifikojnë dhënien e lejes për zhvillimin e sportit dhe ecjes individuale në rrugë.
– Fëmijët dolën në rrugë pas 43 ditësh
Ndërkohë në kuadër të disa lehtësimeve që qeveria e koalicionit të majtë kreu në gjendjen e jazhtëzakonshme, fëmijët nën 14- vjeç kanë filluar të dalin në rrugë pas një periudhe prej 43 ditësh.
Vendimi i cili përfshin rreth 6 milionë fëmijë në vend, lejohet që fëmijët nën 14-vjeç me kusht që të jenë të shoqëruar nga një anëtar i familjes të dalin në rrugë për 1 orë dhe vetëm në zonën përreth 1 kilometër larg nga shtëpia.
Në këtë zbatueshmëri ku është e ndaluar dalja në parqe ose zhvillimi i lojërave kolektive, fëmijët mund të dalin me biçikletë ose skateboard por me kusht që pranë tyre të jetë një anëtar i familjes.
