Ballina Lajmet Kosovë Specialja: S’ka vendim të ri për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Specialja: S’ka vendim të ri për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Më 5 Maj, Dhomat e Specializuara dolën me një njoftim.

Përmes tij, njoftuan se aktgjykimi për ish-krerët e UÇK-së, është shtyrë për 90 ditë.

Kësisoj, shpallja e vendimit nga Trupi Gjykues, u shty nga data 19 maj me 20 korrik të këtij viti.E të enjten në një përgjigje për Tëvë1, nga Specialja, thanë se aktualisht nuk ka një vendim të ri për shtyrje të aktgjykimit.

“Më 5 maj 2026, Paneli i Gjykimit vendosi të zgjasë afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026. Në atë urdhër, Paneli i Gjykimit gjithashtu theksoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e domosdoshme, do të nxirret një urdhër për këtë në kohën e duhur. Në përputhje me Rregullin 159(1) të Rregullave, nëse rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë përtej 90 ditëve fillestare, kjo nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur është absolutisht e domosdoshme”, ka deklaruar Angela Griep, zëdhënesë e KSC.

Nga kjo gjykatë, shtuan se as 20 korriku mund të mos jetë dita finale.

“Është në diskrecionin e Panelit të Gjykimit të vendosë nëse është vërtet e nevojshme të ketë kohë shtesë. Nëse Paneli i Gjykimit në këtë rast e konsideron të nevojshme, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik, sqaroi ajo.

E këto përgjigje të Speciales, sipas avokatit, Ardian Bajraktari, lënë hapësirë për një shtyrje të re të shpalljes së aktgjykimit.

“Megjithatë, fakti që kjo gjykatë nuk është se ka treguar shumë kujdes për rregullat, normat dhe standardet, nuk e përjashton mundësinë që të ketë sërish shtyrje. Po ashtu, vlen të theksohet se shqetësues vazhdon të mbetet fakti që katërshja e UÇK-së vazhdon të mbahet në masën e paraburgimit, si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë, në mospërputhje me të gjithë parametrat ligjorë, madje edhe me vetë praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Ardian Bajraktari.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po mbahen në paraburgim në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020.

Mbi ta rëndojnë akuzat për krime lufte nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Katër të akuzuarit, janë deklaruar të pafajshëm.

Exit mobile version