Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Spiropali në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s: Shqipëria e angazhuar...

Spiropali në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s: Shqipëria e angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka deklaruar se Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive, transmeton Anadolu.

Ministrja Spiropali ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s.

“Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, për angazhimin strategjik të aleancës sonë përballë sfidave të mbrojtjes e sigurisë, ku Shqipëria mbetet një aleat i besuar dhe angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive. Shqipëria rikonfirmon angazhimin për mobilitetin ushtarak dhe rolin qendror të Korridorit VIII si arterie strategjike e gatishmërisë së NATO-s”, ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.

Kryediplomatja e Shqipërisë ka theksuar se mbeten të përkushtuar për modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, sipas saj, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, takimi i sotëm konfirmon unitetin dhe angazhimin strategjik të NATO-s përballë sfidave shumëdimensionale të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.

“Ministrja Spiropali do të ritheksojë rolin e Shqipërisë si një aleat i besueshëm, duke nënvijëzuar angazhimin për përmbushjen e vendimeve të marra në Samitin e Hagës, lidhur me rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes. Spiropali do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e vendeve nënshkruese të Letër-Marrëveshjes për Korridorin VIII, si arterie strategjike e mobilitetit ushtarak”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar përgatitjet për samitin që do të mbahet në korrikut në Ankara, për kërcënimet në rritje ndaj sigurisë kolektive dhe mbështetjen për Ukrainën.

Exit mobile version