Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me homologët e tij nga vendet e Ballkanit, në kuadër të Takimit të Dytë të Platformës së Paqes së Ballkanit, i cili po mbahet sot në Stamboll.
Në këtë kuadër, Fidan u takua me ministren e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, si dhe me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla. Gërvalla theksoi se Turqia mbetet një partner i rëndësishëm për Kosovën në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke riafirmuar orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Kryediplomati turk u takua gjithashtu me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, ministrin e Jashtëm të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Sipas burimeve diplomatike, të gjitha takimet u zhvilluan në kuadër të Platformës së Paqes së Ballkanit, e cila synon forcimin e dialogut, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon, nën mikpritjen e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan. /mesazhi
