Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në pesë persona në Gjermani po mendon të largohet nga vendi, transmeton Anadolu.
Studimi zbuloi se 21 për qind e popullsisë së Gjermanisë po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi, përfshirë 34 për qind e personave me prejardhje migrante dhe 37 për qind të fëmijëve të tyre.
Qendra Gjermane për Studime të Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) e kreu studimin midis viteve 2024 dhe 2025 me 2.933 pjesëmarrës.
Nga personat pa prejardhje migrante, 17 për qind po mendojnë të largohen nga Gjermania, ndërsa 31 për qind e atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe 28 për qind e atyre nga vendet e tjera të BE-së raportuan të njëjtën gjë.
Arsyeja më e shpeshtë e përmendur për emigrim në të gjitha grupet ishte dëshira për një “cilësi më të lartë jete”.
Për personat me prejardhje migrante, përvojat e diskriminimit gjithashtu luajtën rol.
U raportua se 25 për qind e pjesëmarrësve nga Turqia dhe nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përmendën përvojat e diskriminimit si arsye për të menduar largimin.
Fabio Best, studiues në DeZIM, theksoi se të dhënat tregojnë se dëshira për t’u larguar nga Gjermania mbetet e lartë.
“Sidomos te personat me prejardhje migrante dhe fëmijët e tyre, kërkimi për kushte më të mira jetese, së bashku me perceptimet për diskriminim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ai.
