Qeveria sudaneze e ka kushtëzuar pranimin e udhërrëfyesit të propozuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në vend me tërheqjen e plotë dhe çarmatimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nga të gjitha qytetet nën kontrollin e tyre, sipas dy zyrtarëve të lartë sudanezë.
Zyrtarët, të cilët folën për Anadolu në kushte anonimiteti, thanë se përgjigjja e qeverisë është dorëzuar në një dokument me titull “Rikthimi i paqes në Sudan”.
Sipas zyrtarëve, dokumenti përcakton masa të sigurisë që kërkojnë që RSF-ja të tërhiqet nga të gjitha qytetet nën kontrollin e saj, të çarmatoset, të çmobilizojë luftëtarët e saj dhe të integrojë personelin e kualifikuar në Forcat e Armatosura të Sudanit nën mbikëqyrjen e OKB-së, pasi të hyjë në fuqi një armëpushim i përhershëm.
Ata thanë se propozimi amerikan parashikon një armëpushim humanitar 90-ditor, i cili do të pasohet nga masa sigurie që çojnë drejt një armëpushimi të përhershëm.
Përgjigjja e Sudanit propozon që armëpushimi humanitar 90-ditor të fillojë njëkohësisht në gjithë vendin me tërheqjen e RSF-së nga të gjitha qytetet nën kontrollin e saj.
Sipas dokumentit, armëpushimi synon të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare, të mbrojë civilët dhe të krijojë kushte për rifillimin e negociatave indirekte për armëpushim mes palëve ndërluftuese.