Qindra njerëz në Suedi anuluan festimet e vitit të ri dhe u mblodhën mbrëmë në kryeqytetin Stokholm në solidaritet me popullin e Gazës, transmeton Anadolu.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, protestuesit u mblodhën në sheshin “Segels Torg” pas një thirrjeje nga organizata të shumta të shoqërisë civile, duke zgjedhur të përkujtonin fëmijët dhe civilët e vrarë nga Izraeli në vend që të festonin vitin e ri.
Duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Fëmijët po vriten në Gaza”, “Shkollat dhe spitalet po bombardohen”, “Zbatoni armëpushim të menjëhershëm” dhe “Jepni fund mungesës së ushqimit”, turma kërkoi t’i jepet fund asaj që e përshkruan si gjenocid të Izraelit në Gaza dhe i bëri thirrje Suedisë të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin.
Në një deklaratë në emër të organizatorëve, protestuesit thanë: “Në vitin e ri, ne kundërshtojmë vrasjet masive, rrethimet në Palestinë dhe heshtjen ndaj këtyre ngjarjeve. Ne refuzojmë të fillojmë një vit të ri duke mbyllur sytë ndaj padrejtësisë”.
Deklarata theksoi se Izraeli nuk po i përmbahej angazhimeve të paqes me Palestinën. “Ndërsa bota hyn në vitin e ri, në Palestinë gjenocidi vazhdon. Pavarësisht armëpushimit, palestinezët po vriten, rrethimi vazhdon dhe njerëzit po ngrijnë për vdekje ndërsa mbeten pa strehë në tenda”, tha ajo.
Duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke mbajtur pishtarë, protestuesit më vonë marshuan drejt Parlamentit suedez.
Palestinezët e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të një marrëveshjeje armëpushimi, e cila ndaloi një luftë dyvjeçare izraelite që ka vrarë më shumë se 71 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori 2023.
Që nga marrëveshja e armëpushimit e 10 tetorit që ndaloi luftën dyvjeçare izraelite, të paktën 414 persona janë vrarë dhe mbi 1.100 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
